Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Itali, u finalizua procedura për ekstradimin nga Shqipëria në Itali, të shtetasit Armand Dani alias Armand Isaj, 48 vjeç, i lindur në Shkodër.
Gjykata e Novarës, më datë 01.03.2023, e ka dënuar ketë shtetas, me 14 vjet, 8 muaj e 29 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga ky dënim, 48 vjeçarit i duhet të vuajë dhe 11 vjet, 8 muaj e 29 ditë burgim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Armand Dani alias Armand Isaj, në bashkëpunim me të tjerë, siguronte lëndë narkotike kokainë në vende të tjera (kryesisht në Holandë), për ta shitur në Itali. Në vitin 2017, në banesën e 48-vjeçarit, Policia italiane gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike kokainë.