Policia ka identifikuar bashkëpunëtorin e autorit të ekzekutimit Behar Sofisë. Sipas policisë bëhet fjalë për shtetasin Bujar Leza, i cili ndodhet në paraburgim për “dhunë në familje”.
Ndërkaq ndaj këtij të fundit është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Siç dihet autori kryesor për vrasjen është identifikuar si Ernejt Shyti, i cili ka pranuar krimin dhe ka treguar se ka kryer ai ekzekutimin më 25 shkurt pranë qendrës së Tiranës.
Po ashtu në qeli në lidhje me këtë ngjarje dhe të identifikuar si bashkëautorë të vrasësit 24 vjeçar janë edhe Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më 25 shkurt 2021. Identifikohet bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së shtetasit B. S. Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 45-vjeçarin.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 25 shkurt 2021, ku u vra me armë zjarri shtetasi B. S., 66 vjeç, si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit në këtë vrasje.
Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin B. L., 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë kanë bërë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj këtij shtetasi, në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i cili ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetasit B. L.