Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Alfred Gjinin, bashkëshorti i 24-vjeçares Anisa Gjini e cila u hodh nga ballkoni dhe ndërroi jetë pas konfliktit me të shoqin.
Ai u arrestua dy ditë më parë pasi akuzohet se pas sherrit me bashkëshorten, e ka detyruar të hidhet nga ballkoni i banesën ku për pasojë gjeti vdekjen. Bëhet me dije se ka qenë prokurori Agron Gjana i cili ka akuzuar Gjinin se ka shtryë të shoqen për vetëvrasje.
Gjyqtari Petraq Curri e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e Gjinit dhe ka vendosur masë sigurie arrestin me burg pa afat.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së hënës, 6 korrik në qytetin e Durrësit. 24-vjeccarja Anisa Gjini u hodh nga ballkoni i shtëpisë e për pasojë ndërroi jetë.
Në pranga u vendos bashkëshorti i saj me të cilin kishte pasur një konflikt përpara se ajo të hidhej. Sipas fqinjëve të tyre, çifti kanë një fëmijë të vogël djalë, i cili tani mbeti jetim pa nënë.
Ndërkohë mësohet se viktima punonte në një fabrikë këpucësh, kurse bashkëshorti i saj në ndërtim. Fqinjët thanë se i njihnin ata si një familje pa probleme dhe ngrenë supet kur pyeten se cili mund të jetë shkaku që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë.