Një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën një personi në Vlorë. Mësohet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, tip BMW me targa AB 797 CS, ku po udhëtonte shtetasi i identifikuar si Bledar Birçaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 në zonën e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”, ndërsa nuk ka ende detaje në lidhje me ngjarjen. Mësohet se policia është vënë në ndjekje të një automjeti tjetër, që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të BMW-së. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.
Por kush ishte Bledar Birçaj?
Është zbuluar një vendim të Gjykatës së Lartë, ku thuhet se Bledar Birçaj është arrestuar në vitin 2011 pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, si dhe veprat “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”.
Gjykata e Vlorës vendosi ndaj tij më 27 janar të vitit 2011 masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë. Ndërsa në 9 mars do të caktonte masën e “arrestit me burg” pa afat. Ndërsa në 26 prill masa e sigurisë u zbut në “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve.
Çështja ndaj tij do të pushohej në 25 korrik të vitit 2011. Kësisoj Bledar Birçaj paditi Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit duke kërkuar komepensim për paraburgimin e vuajtur në mënyrë të padrejtë për 122 ditë në vlerën 366.000 lekë, si edhe pagimin e 3 rrogave mujore në vlerën 530.000 lekë.
Në një vendim të datës 5 mars 2021 Gjykata e Vlorës pranoi padinë dhe vendosi kompensimin e të ndjerit në masën 276 000 lekë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, pala e paditur Ministria e Financave ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.
Vlorë/ Informacion paraprak
Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMW” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.