Një i ri nga Shkodra u gjet i plagosur pranë rreth rrotullimit të Shëngjinit në Lezhë. Ai u konstatua nga qytetaret në orët e para të mëngjesit të së martës, të cilët njoftuan menjëherë policinë dhe urgjencën e Spitalit.
I riu i identifikuar si Gentjan Bajrami u mor nga autombulanca dhe u dërgua në urgjencën e Lezhës, ku pasi mori ndihmën e parë mjekësore u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të frakturave të shumta që kishte pësuar në kokë, ndërsa mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha në gjendje të rëndë për jetën.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së 22-vjeçarit Gentjan Bajrami. Dyshimet e policisë janë se i riu mund të ketë rënë nga lartësia e një lokali gjatë një tentative vjedhje në Lezhë, apo mund të jetë dhunuar nga persona ende të paidentifikuar.
I riu ka precedent të mëparshëm për vjedhje, ndërsa më 1 korrik 2023 është arrestuar teksa bashkë me dy të tjerë kanë tentuar që të grabisin një banesë në Lushnjë, të maskuar dhe me armë zjarri.
Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore blutë pritet të marrin në pyetje të riun, ndërsa janë sekuestruar dhe po analizohen kamerat e sigurisë të bizneseve në zonën përreth me qëllim zbardhjen e ngjarjes.