Është gjetur i vrarë me armë zjarri një 35-vjeçar në Kodër Kamzë. Ky ishte informacioni paraprak ndërsa në vendngjarje janë forcat e policisë dhe ekspertë të kriminalistikës.
Paraprakisht mësohet se mjeti ishte me targa të huaja. Raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. Can Kariçi me origjinë nga Dibra, është identiteti i viktimës ndërsa nuk dihen rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Në zonën ku ndodhi ngjarja nuk janë dëgjuar të shtëna me armë, ndërsa dyshohet se 35-vjeçari është ekzekutuar me silenciator. Ai mësohet se është gjetur nga policia me shenja jete në makinën me targa të huaja, ndërsa ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Ka dyshime të ketë lidhje me atentatin ndaj dy të rinjve në Astir më 13 nëntor. Sipas grupit të hetuesve, kjo lidhje bëhet për shkak të njohjes që i riu kishte pasur me dy viktimat, Eriges Mihasin dhe Armand Dumani, të cilët u vranë me breshëri armësh nga një automjet në lëvizje në zonën e Astirit. Ndërkohë, në afërsi të Institutit është gjetur një makinë e djegur tip “Audi”, që dyshohet është e autorëve.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 23.12.2021, rreth orës 19:56, në Kodër Kamëz, në rrugën “Nikoll Vatnikaj”, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri brenda në një automjet me targa të huaja, shtetasi C. K., rreth 35 vjeç, banues në lagjen Nr.1 Bathore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me grupin hetimor.
Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve.