Një 47-vjeçar është plagosur me armë zjarri në afërsi të një lokali në Shkodër. Fatmir Odri, nga fshati Grudë e Re, ka shkuar në spital i qëlluar me plumb në shpatull dhe iu është nënshtruar një ndërhyrje kirugjikale. Raportohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme (11 gusht) në një rrugicë në lagjen “Skënderbeg”, në rrethana ende të paqarta.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën. Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së Fatmir Odrit.
“Rreth orës 12:44, në sallën operative të Policisë së Shkodrës, ka mbërritur një telefonatë nga Spitali Rajonal i Shkodrës, se është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Fatmir Odri, 47 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, i cili në një rrugicë në afërsi të një lokali, në lagjen “Skënderbeg”, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri, në shpatull.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon kontrolli i saj.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimit e autorit/ëve të tij”, njoftoi policia e Shkodrës.