Një vatër zjarri, që mori përmasa të mëdha përfshiu mbrëmë rreth, orës 22.45, një magazinë me materiale tapicerie, dikur magazinë bujqësore, në lagjen “Shënkoll”, në Elbasan. Magazina ishte në pronësi të shtetasit Leonard Mustafai, ndërsa nga zjarri raportohet se pati dëme të konsiderueshme materiale. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës, duke bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre.
Burime jo zyrtare bënë me dije se dëmi i shkaktuar nga zjarri që përfshiu magazinën përllogaritet në vlerën e disa mijëra eurove. Ndërkaq, policia po heton për shkaqet e rënies së zjarrit dhe ende nuk ka një version zyrtar.