Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Maltin alias Anton Gjini, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së ndodhur një ditë më parë në fshatin Qafë Qelë të Pukës.
Sipas policisë në orën 18:00 të pasdites së djeshme është paraqitur për ndihmë mjekësore Pjetër Kola (Gjoka), 44-vjeç i cili ishte plagosur me armë zjarri.
Ai është transportuar drejt spitalit të Shkodrës për ndihmë të specializuar mjekësore por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve.
NJOFTIMI I POLICISË
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen e 44-vjeçarit nga Lezha.
Shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Pukë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit M. GJ. alias A. Gj., 36 vjeç, banues në Lezhë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaftallë, Pukë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.