“Strukturat e DVP Shkodër, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër e cila kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest në burg”, për një shtetas të dënuar në Itali, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurisë. Ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin e tij.
39-vjeçari Klodian Ndogaj (Jakini), banues në fshatin Beltojë, Shkodër, nuk është gjetur në banesë, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër për këtë shtetas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, deri në perfundim të procedurave për ekstradimin e tij drejt shtetit italian.
Këtë shtetas Gjykata e Astit, Itali, me vendim e datës 23.10.2019, e ka denuar me 13 vjet e 5 muaj burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.”, thuhet në njoftimin për mediat të DVP Shkodër.
Ndërkohë, familjarë të 39 vjeçarit kanë kontaktuar me me ShkodraWeb, duke e konsideruar të pasaktë njoftimin e mësipërm të policisë. Sipas tyre, 39 vjeçari është paraqitur vetë në spital për arsye shendetësore mëngjesin e ditës së djeshme (e shtunë). Të afërmit pohojnë se nuk bëhet fjalë për largim nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” por për paraqitje në spital për arsye shendetësore.