Prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi është arrestuar nga policia këtë të mërkurë pasi dyshohet se është i përfshirë në një rast korrupsioni.
Mësohet se ai është arrestuar në Kavajë. Ndaj tij është lëshuar dhe një urdhër kontrolli në banesë. Gjithashtu bëhet me dije se në pranga ka rënë dhe shoferi i tij.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të proçedimit penal nr.49/1 viti 2021, që bën fjalë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qënë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.46, datë 30.06.2021 18 Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur. Caktimi ndaj shtetasit Edmond Kariqi të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest me burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve te tjere te drejtesise” te parashikuar nga neni 319/ i Kodit Penal.
Caktimi ndaj shtetasve Isuf Gega, D.D dhe E.B të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjere te drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 30.06.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasve Edmond Kariqi dhe Isuf Gega. Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.