Një 53-vjeçar shqiptar i identifikuar si Gëzim Muho ka humbur jetën në Itali pasi rrëshqiti në një kanal teksa po kthehej në shtëpi.
Sipas mediave vendase, Muho banonte disa metra larg vendit të aksidentit, dhe ishte i punësuar në lokalin Vecio Piave. Ngjarja ka ndodhur në Caposile, në zonën e San Dona.
Ngjarja u pa nga drejtuesi i një prej makinave që po kalonte në zonë dhe që më pas njoftoi Urgjencën.
Trupi i pajetë i 53-vjeçarit u gjet i shtrirë në kanal, mes degëve në breg të lumit, në një pikë ku kishte disa centimetra ujë. Stafi mjekësor nuk mund të bënte asgjë për të pasi ishte shumë vonë. Trupi i pajetë i tij u dërgua në San Dona di Piave, për të përcaktuar me autopsi shkakun e vdekjes.
Pas këqyrjes fillestare të kufomës, mbetet ende e pa qartë nëse vdekja ka ndodhur për shkak të një problemi shëndetësor apo nëse ka qenë e shkaktuar nga rrëshqitja.
Muho prej disa kohësh ndodhej në Itali dhe jetonte i vetëm jo shumë larg vendit ku ndodhi aksidenti. Prej rreth dy vitesh punonte në restorantin Vecio Piave, si pjatalarës. 53-vjeçari shqiptar përshkruhej si një person tepër social e pëlqehej shumë nga punëdhënësit dhe kolegët.