Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në Shkodër. Raportohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Perash”, ndërsa policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje.
Ka nisur verifikimi i të dhënave si dhe krehja e zonës për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe vërtetësinë e informacionit. Deri tani nuk është gjetur provë në vendin ku është raportuar për të shtëna.
Ndërkohë, burime nga Spitali Rajonal i Shkodrës bëjnë me dije se është paraqitur një person i plagosur, i identifikuar si Edis Reçi, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu bëhet me dije se një person i dyshuar si autor i plagosjes, është shoqëruar nga policia.
Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 19.04.2022, rreth orës 22:00, në lagjen “Perash”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi Edis Reçi 28 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit për të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, është rrethuar zona, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme, që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.