Selman Lajçi nga Kosova është kapur me arsenal armësh në makinë. Ai vinte me traget nga porti i Anconës, Itali dhe po futej në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të portit të Durrësit.
Kontrolli është bërë nga policia kufitare dhe rezultoi se në makinë ishin fshehur një snajper, shotgun dhe pistoletë. Ai jetonte në Zvicër dhe po kalonte përmes portit të Durrësit kur u kap nga policia.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e rriskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 53 vjeç, banues në Zvicër.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të RSH, 53 vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover” dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.