I zoti i një dyqani që ndodhet pranë autostradës Laç – Fushë Krujë është plagosur këtë mëngjes në rrethana ende të panjohura. Besim Zeneli, 60 vjeç, u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për autorin.
Policia njoftoi se ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Besim Zeneli nga fshati Shullaz i Kurbinit ndodhej pranë dyqanit të tij në autostradë në momentin kur e qëlluan.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z. 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën Laç – Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor.
Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.
Për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e personave të shoqëruar, për shkak të vijimit të hetimeve dhe ruajtjes së sekretit hetimor.