Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, jep lajmin se një tjetër ish-deputete është larguar nga LSI dhe i është bashkuar PS-së. Bëhet fjalë për ish-deputeten e LSI në Tepelenë, Ediola Braha, e cila tashmë ka vendosur t’i bashkohet PS-së.
Në mesazhin e tij në “Facebook”, ministri Çuçi thekson se “Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm”.
“Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale. Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm.
Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim. #BashkëMePartinëSocialiste ??#PërShqipërinëQëDuam??”, shkruan Çuçi.