Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 5”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sokol Ponari, 34 vjeç, banues në Tiranë.
34-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Princ Vidi”, duke transportuar me një automjet, 5 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga Tirana në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 5 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.