Një 28-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet se shiste radio policie duke i reklamuar ato në rrjetet sociale. Bëhet me dije se në pranga është vënë Marinela Gjinaj.
Sipas policisë e reja i fuste radiot e policisë kontrabandë në vend dhe pasi i reklamonte në një faqe online i shpërndante porositë me shërbime postare.
Gjatë operacionit polici ka sekuestruar 15 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë të cilat ishin dërguar nga 28-vjeçarja si porosi për klientët.
Policia bën me dije se tashmë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Receiver”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Reklamonte dhe tregtonte radio policie, në një faqe në rrjete sociale, vihet në pranga 28-vjeçarja. Sekuestrohen radio si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Receiver”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases:
– Marinela Gjinaj, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet për shërbime postare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pako, brenda së cilës kishte 15 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo pako ishte dërguar nga shtetasja Marinela Gjinaj, e cila i reklamonte dhe i shiste këto radio, që dyshohet se janë futur kontrabandë, në një faqe online, dhe dërgesat i bënte nga shërbime postare, veprimtari të cilën nuk e kishte regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 15 radiot. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.