Engjëll Brahimi, i shumëkërkuari shqiptar për vrasjen e një polici dhe djalit të tij 8-vjeçar 23 vite më parë është arrestuar në Montreal të Kanadasë, ku ai jetonte prej shumë kohësh me emrin Piro Kota.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat kanadeze, të cilat raportojnë se sot ai ka dalë para gjykatës pikërisht në Montreal.
Ndërkohë mediat shkruajnë se “Qeveria shqiptare ka kërkuar ekstradimin e Ëngjëll Brahimit, 60 vjeç, një burrë që pretendohet se jeton prej vitesh në Kanada me emrin Piro Kota”.
Sipas një deklarate të depozituar në kërkesën për ekstradim thuhet: “Më 21 maj 2001, kërkuesi u shpall fajtor në mungesë nga një gjykatë shqiptare për vrasje me paramendim për shkak të hakmarrjes, vrasje të kryer në rrethana të tjera specifike, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Dy nga personat mbetën të vrarë, njëri prej të cilëve fëmijë. Tjetri ishte ish-shefi i hetuesisë në qarkun shqiptar të Fierit.”
Ai eshte arrestuar më 26 janar. Qeveria shqiptare pretendon se Brahimi vrau oficerin e policisë, Astrit Braçe, dhe djalin e tij tetë vjeçar, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000.
Një deklaratë tjetër e depozituar në gjykatën e Montrealit jep më shumë detaje rreth asaj që fshihej pas vrasjes.
Në vitin 1997, vëllai i Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance. Ndërkohë Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit dhe vëllai i Braçes ishte shef i komisariatit lokal.
Dikush tentoi të qëllonte Braçen në vitin 1999, por u largua. Brahimi ishte i dyshuar për të shtënat, por nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.
Më 10 gusht 2000, efektivi Braçe dhe gruaja e tij shkuan në plazh me djalin e tyre, vajzën, mbesën dhe nipin. Ata kanë qenë të gjithë në të njëjtin makinë teksa ktheheshin nga plazhi kur makina është sulmuar me armë zjarri në fshatin Pishë Poro.