Një 25-vjeçar shqiptar ka humbur jetën dje (22 prill), si pasojë e një aksidenti në Itali. Viktima i identifikuar si Haris Shala me origjinë nga Shkodra dhe banues në Pisa ishte kamionist dhe babai i një vajze të vogël, raportojnë mediat italiane.
Nuk kishin kaluar as një mijë ditë para se të binte një zi e re në familjen Shala, pasi Haris në tetor të vitit 2021 kishte humbur po në një aksident rrugor, kushëririn e tij, Besmirin.
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:15 në autostradën A22 Brennero në provincën e Veronës. Fillimisht autostrada ishte mbyllur më herët që nga ora 06:20 deri në orën 08:22 për të lëvizur një rimorkio që ishte përmbysur në rrugë.
Më pas ajo u rihap në një korsi për të lejuar që të lirohej sadopak trafiku, përpara një mbylljeje pasuese në orën 09:40 të mëngjesit. Ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë ndodhi edhe aksidenti i dytë, ku humbi jetën 25-vjeçari shqiptar.
Përplasja ndodhi mes dy kamionëve që po udhëtonin të dy në drejtim të Modenës. Si pasojë e motit të keq, viktima nuk i ka parë mjetet e ndalura në kolonë dhe ka goditur makinën e fundit të rreshtit. Pas përplasjes së fuqishme, shoferi vdiq brenda kabinës së kamionit.
Haris Shala ishte i njohur në qytet.
“Ai ishte një djalë i mirë, por edhe shumë i përgjegjshëm, kujton Marco, një shok shkolle. Një person i integruar dhe i pëlqyer. Na vjen vërtet shumë keq. Ky lajm na ka tronditur”.
“Nuk ka fjalë, thotë Herta kushërira e tij e pushtuar nga lotët. Dhimbja në këtë moment është vërtet shumë e madhe”.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmëve, miqve dhe të njohurve të të ndjerit Haris Shala.