Vlora është tronditur mbrëmjen e kaluar nga një atentat të bërë ndaj 41-vjeçari Leartiad Lekaj (Kekaj).
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Kishës Ortodokse dhe policia pritet të japë detaje të reja nga ngjarja e rëndë, ku ndaj të riut është qëlluar me breshëri nga një makinë me targa të huaja.
Kekaj gjendej duke drejtuar motorin, dhe raportohet të ketë shkëmbyer vazhdimisht zjarr me pasagjerët e automjetit derisa ka gjetur vdekjen.
Burime bëjnë me dije se në makinë kanë qenë 3 persona, ende të paidentifikuar.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, referuar dhe në dëshmitë e dhëna në polici nga dëshmitarë, atentatori ka zbritur nga një automjet tip “Audi” A6 me targa italiane dhe ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit i cili lëvizte me një motoçikletë.
Gjatë kontrolleve, efektivët kanë gjetur një makinë të djegur te hangarët e ish-fushës së aviacionit, ndërsa po verifikohet nëse ka lidhje me ngjarjen.
Mësohet se se viktima nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi më herët në dhjetor të vitit 2005, ai ishte marrë si i pandehur për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj.