Një efektiv policie është qëlluar me sende të forta pasditen e sotme në Shkodër. Bëhet fjalë për efektivin Admir Okaj. Ngjarja ka ndodhur afro para dy orësh. Okaj është qëlluar me mjete të forta në kokë nga një person, i cili është identifikuar dhe është vetëdorëzuar në polici.
Ngjarja ndodhi në afërsi të banesës së tij në zonën e Zdrales. Okaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi ka marrë mjekim në kokë në spitalin e Shkodrës është larguar ndërsa po jep dëshminë e tij për policinë.
Okaj ka shërbyer për shumë vite me forcat e FNSH në Shkodër ndërsa prej disa kohësh shërben në qarkun e Elbasanit. Policia është duke hetuar ndërsa efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën përreth. Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 15:45, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi Ormir Gucia, 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin Aadmir Okaj, 49 vjeç, banues në Shkodër (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e 47-vjeçarit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.
Shkodër/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, sipas të cilit shtetasi Ormir Gucia, 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin Admir Okaj, 49 vjeç, (punonjës policie), ju informojmë se pas kontrollit dhe presionit të Policisë, 47-vjeçari është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër.
AMP dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.