Pas atentatit me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në lagjen “Dobraç i Ri” në Shkodër, shënjestra e tij, ka deklaruar se nuk i njeh autorët e ngjarjes dhe as arsyet e krimit.
Dedë Pllanaj mori disa plagë nga atentati, por fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.
Pas ndihmës së parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ai u transportua në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Në dëshminë para hetuesve, 60-vjeçari, banues në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër, nuk ka dhënë shumë detaje për identifikimin e autorit të ngjarjes.
Ai ka treguar dinamikën e ngjarjes, duke theksuar se autori ka ardhur me një motoçikletë drejt karburantit ku i moshuari punonte si roje.
“Isha i ulur te puna në karburant. Në një moment erdhi një motoçikletë, drejtuesi i saj ishte me kaskë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pashë fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe pse më sulmoi”, mësohet të ketë deklaruar ai.