Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është shprehur se, “Në të vërtetë, ne nuk kemi nevojë për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Nëse Bashkimi Evropian sot dëshiron të bëjë një arritje të madhe, ekziston vetëm një mënyrë, e cila është që të fillojë një zgjerimi të vërtetë ekonomik dhe kulturor duke anëtarësuar Turqinë. Nëse Bashkimi Evropian e bën këtë, ne jemi këtu, dhe do të kemi kënaqësinë për të kontribuar në të ardhmen e Evropës. Edhe sikur mos ta bëjë kjo nuk ka asnjë rëndësi për ne; vazhdojmë të përparojmë në udhën tonë”, raporton Anadolu Agency.
Presidenti Erdoğan me rastin e hapjes së vitit të 3-të legjislativ të periudhës së 26-të legjislative në Parlamentin e Turqisë ka mbajtur një fjalim duke iu drejtuar deputetëve.
Në fjalën e tij në lidhje me procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, Erdoğan tha se, “Vërejmë se Evropa ka kuptuar gabim durimin që Turqia ka treguar që nga aplikimi i parë në vitin 1959 e deri nga data që ka nënshkruar marrëveshjen e Ankarasë në vitin 1963. Pavarësisht kësaj, po e shpreh qartë se ne nuk do të jetë pala që do t’i japë fund, që do të heqë dorë nga ky proces”.
“Vendet evropiane janë në krye të vendeve që na kanë zhgënjyer më shumë në luftën tonë kundër terrorizmit. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga qëndrimi tolerant që shfaqin kundër organizatave terroriste ata të cilët pengojnë haptazi anëtarësimin e Turqisë në BE”, është shprehur Erdoğan duke theksuar se “Evropa sot ndodhet në një situatë ku terroristët lirshëm mund të zhvillojnë çdo organizim kundër qeverisë legjitime të Turqisë”, deklaroi ai.
Ndërsa në lidhje me situatën pranë kufijve të vendit presidenti Erdoğan është shprehur se, “Ne nuk mund të tolerojmë formimin e një burimi keqbërës i cili do të paraqesë problem në rajonin pranë kufijve tanë edhe për popullatën e Irakut, por edhe për vendet e tjera përreth dhe kryesisht për Turqinë. Mbrojtja e të drejtave të kurdëve në Erbil nuk mund të nënkuptojë kurrsesi injorimin e të drejtave të arabëve në Mosul dhe të turkmenëve në Kerkuk”.
Pasi ka theksuar se kanë arritur rezultate në industrinë e mbrojtjes dhe të teknologjisë presidenti i Turqisë tha se, “Falë këtyre arritjeve kemi paralizuar organizatat terroriste kryesisht ato brenda vendit. Deri më sot nga gjendja e jashtëzakonshme askush nuk është dëmtuar përveç organizatave terroriste dhe anëtarëve të saj”.