Teuta-Apolonia është sfida e javës së fundit në Superligë. Kjo ndeshje së bashku me 4 takime të tjera do të luhen ditën e mërkurë dhe do vendoset se cila skuadër do të dalë kampione. Teuta ka një shans të artë që nëse fiton mund të arrijë te titulli kampion pasi është me golavarazh më të mirë se Vllaznia që ndodhet në vendin e dytë me njëjta pikë. I ftuar në emisionin “Skaner”, presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima u shpreh se skuadra e tij do të respektojë kampionatin e nuk do të bëjë tolerime ndaj Teutës. Gjithashtu, Kokëdhima foli edhe për mesazhet e shumta që ka marrë nga tifozeria e Vllaznisë që të luajnë ndershëm kundër durrsakëve.
Jeni në siklet për mesazhet nga Shkodra? “Nuk kemi asnjë siklet nga ftesat që të respektojmë garën e për të luajtur me nder pasi kjo është ajo që ne bëjmë dhe e kemi treguar. Apolonia ka respektuar kampionatin deri në fund, kemi respektuar kundërshtarin dhe zyrtarët. Është detyra jonë të bëjmë maksimumin dhe ne do të bëjmë maksimumin e nuk do të bëjmë asnjë tolerim.
Do të luajmë sikur të ishim Vllaznia, nuk e bëjmë këtë për askënd, por për veten tonë pasi nuk na intereson se kush del kampion. Kam respekt për Teutën, por edhe Vllazninë, kështu që është detyra jonë të bëjmë maksimumin tonë. Vllaznia ka një nga tifozeritë më të mira në Shqipëri e kjo na bën ne që të luajmë me nder në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Unë nuk flas dot për askënd tjetër, por mund të them që ne nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë tjetër. Jam I habitur me diskutimet që thonë se Apolonia do të tolerojë. Ne nuk kemi mundësi të tolerojmë pasi jemi një shkollë shembull dhe nuk mund t’i mësojmë lojtarët tanë të rinj që të tolerojnë ndeshje. Nuk është e mundur, Apolonia nuk e ka të mundur të tolerojë pasi është ndërtuar në të tillë mënyrë.
Nuk kemi asnjë interes sado i madh, aq miqësitë asgjë nuk vlejnë dhe nuk ka shans pasi ne shkatërrojmë një investim dekadësh për çfarë se del Teuta kampione? Unë kam pëlqyer Laçin, më është dukur një skuadër e shkëlqyer dhe mendoja se do të dilnin kampion. Më ka pëlqyer trajneri i Partizanit që u ka marrë lojtarëve më shumë se nga se pritej. Më kanë shkruajtur nga çdo vend tifozët e Vllaznisë që ne të luajmë ndërshëm. Ne nuk kemi shumë mundësi pasi nëse do të kishim do të shpëtonim nga Superliga, por do të luajmë pastër”. /NewSport/