Gëzim Sinemati ka analizuar situatën që është krijuar te Vllaznia pas disa ndeshjeve pa ngjyrë, që shkurtuan diferencën e shkodranëve në 6 pikë me Partizanin e vendit të dytë. Në “Procesi Sportiv”, ai ka theksuar se Vllaznia duhet të fillojë e të bëjë llogari e njerëzit të mësohen me një lojë më pak të bukur.
“Ne e hapim dhe e mbyllim kampionatin si të na dojë qejfi. Para tre javësh u tha u mbyll, pjesa më e madhe thanë që Vllaznia e meriton. Kjo është pjesa e injektimi të sistemit, duam të dimë që përpara se kush e fiton.
Dy vite më përpara e dinim pak a shumë që do fitonte Partizani, këtë vit u edukuam që do të fitonte Tirana. Ne pa ndodhur ngjarjet duam ta dimë se kush fiton, është pjesë e jona.
Shkodra kishte nevojë për një humbje dhe shkoi gradualisht atje. E fali te Kastrioti se nuk ia bëri analizën takimit dhe e fali edhe arbitri, me Partizanin u pa që u dominua, nuk ishte më Vllaznia e bukur. Vllaznia e ka gabim që që e quan kundërshtare vetëm Vllazninë, tani u bënë të gjithë se e pompuan shumë.
Edhe sponsori Xhaferi duhet të ulë pak ritmin e intervistave se po luan më shumë se ekipi. I ke parë të tjerët, presidentët më të vjetër nuk flasin fare. Duhet të rrijë të mësojë nga ligjet e Superligës.
Po nëse Vllaznia i fiton këto pikë në ndeshjet e radhës e ata që e ndjekin kanë pengesa, do të themi prapë u mbyll? Nuk duhet të merremi me pikët, sidomos në Superiore që ka lloj-lloj tradhëtish e pabesish rrugës, është rrugë e gjatë.
E veçanta e Vllaznisë është kjo që për disa javë na mësoi me futboll të bukur. Por futboll të bukur nuk bën gjithë kohën. Duhet të mëshemi me Vllazninë më pragmatiste, kjo ka firo me Vllazninë e bukur, jo se luajti keq. Ata nuk dinë të bëjnë hile, janë ekip i sinqertë, bëjnë futboll të hapur, puna është që duhet të bësh llogari, kur iket për lart duhet të bësh llogari”, tha Sinemati. /vipsport/