Qëndrimet publike dhe deklaratat e forta kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama, kanë sjellë si rezultat edhe kërcënimin e studiuesit të njohur Aurel Plasari. Profesori i njohur, pas marrjes në mbrojtje të kreut të KQZ-së, Klement Zguri, publikoi në rrjetet sociale mesazhin e marrë në “Facebook” dhe akuzoi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për indiferencën e treguar për rastet në fjalë. I pashqetësuar nga përmbajtja dhe forma e kërcënimeve, por i bindur se pas tyre fshihen qëllime politike, Aurel Plasari rrëfen mesazhet e marra dhe bën identikitin e kërcënuesit. “Unë kam zbuluar privatisht kush është ai person, për aq sa më duhet mua. Nuk kam qëlluar aq i paaftë sa të kisha nevojë të prisja Lleshin e gazit lotsjellës që ta zbuloja se kush ishte personazhi kërcënues, fshatin Beltojë nga e ka origjinën, çfarë detyre ka pasur në ish-Sigurimin e Shtetit, mënyrën si është strehuar, madje edhe qytetin ku fshihet, deri edhe lagjen.
Por, shteti çfarë bën? Lleshi, ndërkaq, le të ruajë gazin përkatës. Duhet të jenë strukturat e shtetit që të bëjnë thirrje që të gjithë personat që janë kërcënuar nga ky person me 5 profile, të publikojnë mesazhet. Jam shumë i revoltuar kur shoh sesi i çojnë gardën kreut të KQZ-së. Kjo është e turpshme. Është detyrë e shtetit për ta gjetur menjëherë atë person. Për 10 minuta mund ta gjejnë atë nëse duan.“, rrëfen Plasari.