Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Rudi Vata, mendon se ambienti aktual në FSHF është jashtëzakonisht kundër asaj që përfaqëson sporti i futbollit. Duke folur në studion e “Sport News Plus” në “News 24”. Ai ka dhënë mendimet e tij mbi situatën e krijuar në FSHF dhe zgjedhjet e këtij institucioni.
“Unë mendoj që zgjidhja është e thjeshtë dhe përgjigja është krejt normale se futbolli është një industri shumë e madhe, është një sport që është më popullori dhe të gjithë dëshirojnë të kenë një pjesë të futbollit e të jenë aty se të jep shumë mundësi. Por kur e shfrytëzon për të mirën, për atë që është krijuar, është i bukur, shumë sport fisnik, me vlera dhe për formimin e karakterit të njeriut.
Ky është një sport tepër burrëror, edhe pse sot janë përfshirë në masë edhe femrat. Futbollistët me sakrificat që bëjnë, djersën që derdhin, mundësinë që harxhojnë, janë ndër njerëzit më të ndershëm që të ekzistojnë.
Kurse në Shqipëri kam pasur një eksperiencë kur kandidova për president të FSHF dhe sinqerisht ishte eksperiencë që më ka lënë trishtim shumë të madh, jo nga mënyra e organizimit si disa meshkuj e menaxhonin situatën, por si burrë të vjen turp të jesh në atë ambient.
Se është një ambient i manipuluar se janë disa burra që shkojnë si të kompromentojnë çdo gjë, nuk shkojnë me shpirtin e sportistit, mendjen e pastër, të gjykojnë drejt e votojnë një person që ka një strategji e projekt, një plan për të mirën e futbollit.
Bëhet fjalë thjesht për të qenë pjesë e kësaj loje, për të marrë pjesë e përfituar sa më shumë në aspektin individual. Nuk janë njerëz që kanë lindur me pasion për futbollin, kanë sakrifikuar e derdhur djersë për të, nuk e kanë filluar në vogëli, janë njerëz që blihen e shiten e manipulohen”, tha Vata.