Euro është forcuar sërish gjatë ditës së sotme duke u këmbyer me 131.45 lekë, apo 0.5 pikë më shumë se një ditë më parë. Euro ka rikuperuar pikë përkundrejt lekut në tre ditët e fundit, duke u çmuar me rreth 2.4 pikë. Prej fillimit të marsit euro pati rënie të fortë në tregun e vendas.
Gjatë komisionit të ekonomisë, ministri i financave Ahmetaj foli për forcimin e lekut, duke argumentuar se arsyet që kanë ndikuar në rritjen e ofertës për valutë, kanë qenë kryesisht remitancat dhe turizmi. Por, ministri nuk përjashtoi as mundësinë e forcimit për shkak të arsyeve artificiale. Megjithatë Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit monedha vendas, ky forcim i lekut po vjen si rezultat i qarkullimit të dobët të tij në ekonomi dhe ofertës së lartë të valutës në tregun vendas
Ministri bëri me dije se ka pasur komunikimet e tij me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit euro do të forcohet në ditët në vijim. Sipas aktorëve kryesore të kursit të këmbimit kjo është një deklaratë e fortë që do të ketë ndikimin e saj në forcimin e valutës në ditët në vijim.
Edhe dollari amerikan është forcuar lehtë përkundrejt lekut, por pa mundur që të kapë nivelin e 106 lekëve. /Monitor/