Sevilja është shpallur fituese e Ligës së Europës për herë të shtatë në historinë e saj, duke u konfirmuar e pathyeshme në finalet e këtij turneu. Spanjollët këtë herë kanë triumfuar me penallti përballë Romës, në një sfidë dramatike deri në sekondën e fundit.
Italianët ishin ata që luajtën më mirë në pjesën e parë dhe gjetën golin me anë të Dibala, teksa në fund të fraksionit të lojës u shpëtuan nga shtylla. Në pjesën e dytë me aktivizimin e Suso dhe Lamela, Sevilja u ngjall dhe gjeti barazimin i cili në fakt erdhi vetëm me autogolin e Mançinit.
Më pas, skuadrat u treguan më të kujdesshme duke mos lejuar shumë hapësira, ndërsa kishte dy ndërhyrje nga VAR për penallti nga të dy krahët. 90 minutat u mbyllën pa gola të tjerë, ashtu si shtesat e ndeshjes, me një traversë të goditur nga Smalling në minutën e 131-të.
Kështu, për të shpallur fituesin u deshën gjuajtjet nga pika e bardhë ku gabimet e Mançini dhe Ibanjez i dorëzuan praktikisht Seviljes trofeun, me heroin e Argjentinës, Montiel, i cili ashti si në Botëror goditi penalltinë vendimtare.
LIVE SEVILJA-ROMA 1-1
55′ (ag) Mançini / 35′ Dibala
PENALLTITË 4-1