Facebook tha se ka zbuluar përpjekje “të sofistikuara”, potencialisht të lidhura me Rusinë, për të manipuluar politikat në Shtetet e Bashkuara, përpara zgjedhjeve për Kongres, që do të mbahen në nëntor.
Gjiganti i medias sociale tha se nuk mund t’i lidhë përpjekjet drejtpërdrejt me Rusinë apo me zgjedhjet, por ligjvënës që u informuan nga Facebook-u thanë se metodologjia e përdorur tregon për përfshirjen ruse.
Kompania tha se ka gjetur 32 llogari “të rreme” në Facebook dhe Instagram, të cilat tha se i ka fshirë, pasi kanë qenë të përfshira në sjellje “të koordinuar” politike dhe “joautentike”.
Facebook bëri të ditur se ka gjetur lidhje midis llogarive të fshira dhe atyre të krijuara nga Agjencia e Kërkimeve në Internet e Rusisë, e cila është akuzuar nga prokurorët amerikanë për përpjekje të mëdha për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016 .
Gati 300,000 njerëz kanë ndjekur së paku njërën nga llogaritë e fshira, tha Facebook, ndërsa qindra-mijëra të tjerë kanë shprehur interesim për rreth 30 ngjarje politike që i promovonin këto faqe.
“Ky është një sulm absolut në demokracinë tonë”, tha senatori demokrat, Mark Warner, nga Komiteti i Senatit për Inteligjencë, anëtarët e të cilit u informuan për gjetjet nga Facebook.
“Kam besim të madh se kjo lidhet me Rusinë”, tha Warner.
Kryetari i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, Richard Burr, tha se “qëllimi i këtyre operacioneve është të krijojnë mosmarrëveshje, mosbesim dhe ndarje”. “Rusët e duan një Amerikë të dobët”, tha ai.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u zotua se do t’i mbrojë zgjedhjet e ardhshme nga ndërhyrjet e tilla të huaja.
“Çdo përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet tona është fyerje për demokracinë tonë dhe nuk do të lejohet”, tha Pence në një takim për sigurinë kibernetike në Nju Jork.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë asnjë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona, nga asnjë shtet”, tha Pence.
Por, udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, tha se Shtëpia e Bardhë “nuk ka bërë sa duhet” për të “mbrojtur” votuesit amerikanë nga përpjekjet e tilla të ndërhyrjes së huaj.
Laboratori për Hulumtime Digjitale Ligjore i Këshillit Atlantik ka punuar me Facebook-un për të zbuluar përpjekjet e ndikimit politik dhe i ka parë llogaritë “e rreme” përpara se të fshiheshin.
Ai tha se këto faqe kanë bërë përpjekje “të promovojnë ndarje dhe t’i vënë amerikanët kundër njëri-tjetrit”, ndërsa “kanë përdorur strukturë gjuhësore që dëshmon një anglishte jovendëse”, shkruan rel.
Në muajin shkurt, Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar Agjencinë ruse të Kërkimeve në Internet dhe 13 shtetas rusë për një fushatë të gjerë në mediat sociale për të nxitur ndarje midis amerikanëve dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.
Facebook tha se përdoruesit e zbuluar këtë vit, i kanë krijuar faqet në Facebook qysh në mars të vitit 2017, ndërsa faqet më të ndjekura kanë pasur emra të tillë si: “Madhështia e Zezë”, “Mendja e Kujdesshme” dhe “Rezistenca”.
Facebook tha se faqet që i ka fshirë kanë pasur rreth 150 reklama që kushtonin rreth 11,000 dollarë. Rrjeti social tha se reklama e parë është krijuar në prill të vitit 2017, ndërsa e fundit në qershor të 2018-ës.