Këto ditë festimesh, qyteti ynë bëri bashkë fëmijë, të rinj, mësues e koordinatorë të më shumë se 50 kopshteve e shkollave, mbi 200 artistë e artizanë shkodranë të të gjithë brezave si dhe të ftuar nga Korça e Tuzi, punonjës të drejtorive të kulturës, turizmit, promovimit, policisë bashkiake, mirëmbajtjes e pastrimit të Bashkia Shkodër, blogerë, fotografë e influencues, bashkëpunëtorë e kontribues në krijimin e eventeve; sigurisht edhe kritikues e dyshues të çdo procesi.
Dua t’i them faleminderit secilit prej tyre, secili i domosdoshëm në mbarëvajtjen e promovimin e #rrugëteShkodrësnkarnaval.
Dua të falenderoj qindra vizitorët që iu bashkuan qytetarëve shkodranë nga qytete të ndryshme shqiptare e jo vetëm. Falë tyre hotelet dhe shërbimet e tjera ishin në kapacitet të plotë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e qytetit.
Faleminderit të gjithë bizneseve e punonjësve të tyre që iu bashkuan nismës e na nxorën edhe njëherë faqebardhë. Kjo na bën optimistë për një Shkodër plot miq vendas e të huaj në sezonet përpara.
Dua ta falenderoj përzemërsisht familjen Rama, zonjën Linda, Kryeministrin Edi Rama dhe Gregun e Zahon, që zgjodhën qytetin tonë këtë fundjavë; shpresoj të kenë shijuar atmosferën e mikpritjen shkodrane.
Me dëshirën e mirë që festat në Shkodër të jenë modele të kulturës e nxitjes së turizmit, faleminderit me zemër të gjithëve! /Publikuar në Facebook nga Benet BECI, kryetar i Bashkisë Shkodër/