Një ish-inspektor i një kompanie private është arrestuar, ndërsa dy ish- elektricistë të OSHEE janë pezulluar nga detyra pasi përmes falsifikimit të faturave nuk kanë dokumentuar vjedhjet e energjisë elektrike.
Në kuadër të operacionit të koduar “Faturisti” policia e Lezhës ekzekutoi masat e sigurisë për 3 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ish-inspektor pranë një kompanie private në Shkodër, si dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, për shtetasit V. D., 62 vjeç dhe K. Z., 61 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë ish-elektricistë pranë OSHEE Lezhë.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë kanë zhvilluar hetimet mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit E. A., V. D. dhe K. Z., gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kanë falsifikuar formularët e raportit të verifikimeve të matësve elektrik në subjekte të ndryshme private ku kanë kryer inspektime, duke mos evidentuar vjedhjen e energjisë elektrike nga këto subjekte”, thuhet ne njoftimin e policise.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve “.