Si sot 91 vjet më parë, artit shkodran e ai shqiptar, do ti vinte një emër i madh. Bep Shiroka, mbeti i pavdekshëm, përherë mes nesh me rolet e tij në teatër dhe kinematografi, duke u kujtuar gjithmonë si “Fanatiku i halls”, edhe pse është ndarë nga jeta 14 vite më parë. Mjeshtri i Madh Bep Shiroka do të mbahet mend si aktori, skenografi, piktori etj. Mbi 40 vite aktor në teatër dhe në kinematografi, Bep Shiroka kujtohet me një galeri të jashtëzakonshme interpretimesh në mbi 160 drama dhe mbi 20 filma artistikë. Ai është pjesë e plejadës së artë të aktorëve shkodranë, duke spikatur edhe në komedi e kinokomedi përveç se në drama e filma artistikë. Ai u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare.
Më poshtë do të lexoni një shkrim të shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati, ku njihet më mirë aktori i i mirënjohur Bep Shiroka. Një nga intervistat më të plota ku Bep Shiroka tregon shumëçka edhe për jetën e tij e pasionet, përveç pjesës së aktrimit e cila është e mirënjohur e vlerësuar nga të gjithë ata që e kanë ndjekur në skenë apo në ekranin e televizorit e të kinemasë.
I paharruari Bep Shiroka gjithherë interesante, befasuese e mahnitëse! Intervistë, që çuditërisht e nisi rrugëtimin plot 27 vjet më parë, por që nuk e pa asnjëherë dritën e botimit, sepse dita-ditës “biografia” dhe portreti i Bep Shirokës plotësohej me detaje të reja, të vjetra, të panjohura; me detaje të freskëta e me të papritura…, por gjithherë interesante, befasuese e mahnitëse. Sekrete aktoriale, sekrete skenike apo… Ndërsa unë qëmtoja dhe vazhdoj të qëmtoj edhe sot e kësaj dite…
Bep Shiroka lindi në Shkodër, më 25 shtator 1933, dhe vdiq në këtë qytet, më 01 korrik 2010, në moshën 77 vjeçare. Më ngjan se kjo intervistë ende është e pambaruar, sepse shumë kujtime “trokasin” në portën e saj… Me sa duket është vazhdimi i një bisede, edhe pse Bepi iku nga kjo jetë 6 vjet më parë.
Bep Shiroka: Peshorja.
Ju shtyn kureshtja për të ditur se çfarë thonë gazetat e televizori për ju?
Jo. Më duket kohë e humbur… Nuk ma mbush mendjen se është diçka. Megjithatë njerëzit flasin për të. Bile e kam në shtëpi, gruan. Ajo shikon për vete, për fëmijët, për dhëndurët, për… Në fund shikon ndonjë send edhe për burrin. Ajo m’i kallëzon…, si i thonë një fjale, ma zbërthen horoskopin.
Në qoftë se realizohet, si reagoni?
Shiko, për të mos thënë 100%, 99% nuk realizohet kurrë. Megjithëse, këto kohët e fundit PESHORJA më mbyti me dashuri. E bukur është se unë vazhdimisht do të bie në dashuri me dikë sipas parashikimeve të horoskopit. Dhe më e bukura është se… edhe këto m’i thotë gruaja gjithmonë. (qesh)
Të largohemi nga horoskopi e të mos largohemi nga televizori. Ju tërheq më shumë kafja e mëngjesit apo lajmet në televizion?
Para se të bëj njërën apo tjetrën, më parë përshëndetem me nipat e me mbesat e mia që i kam këtu, afër, në fotografi, por që aktualisht ndodhen larg, në Itali. U uroj: “Nadja e mirë!”, – siç themi ne, shkodranët. Në përshëndetjen me ta, unë bëj atë monologun e brendshëm që i themi ne, aktorët, monolog që ka një magji të veçantë dashurie të gjyshit për nipat e mbesat. Në atë monolog kujtoj se si fola me ta në telefon, si qeshnin ata, si zëri fëmijëror i nipit (më të madhit) ka nisur të burrërohet, si bisedova me dy mbesat në mënyrë lirike dhe intime, pastaj… se si në mes shumë fjalëve shqipe hynin si të ftuara e të paftuara shumë fjalë e shprehje të gjuhës italiane, pastaj… sikur një valë deti vjen me vrull e më tremb e unë trishtohem, më shpëton një lot në faqe, pastaj vjen përsëri drita e tyre dhe më rinojnë. Unë, gjyshi i tyre, i falem dritës së tyre… Të nesërmen, mezi pres të lind e nesërmja, sepse pres të bisedoj me ato dritëza jete…
Hobi juaj?
Hobi im kryesor, që do të ishte rruga ime, sikur të mos kishte bërë pak dredha, ka qenë piktura dhe është sot e kësaj dite. Më bëhen 40 vjet e ca në teatër e pikturën nuk e kam lënë asnjëherë. Më ka qetësuar. Bile një verë… (është fjala për vitin 1997) punova aq shumë sa më bëri të harroj telashet e streset e një kohe të egër e tragjike.
Tani të tregoj edhe një kuriozitet. Si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk jam pranuar si aktor, por si piktor. Kam pasur edhe një hobi tjetër. Në shtëpinë e babës (private me atë grimë oborr) kam pasur qejf gardalinat, kanarinat. Jam kujdesur për to. Kurrë nuk kam menduar t`i shes, por t`i fal. Kam falur jo pak, e, çuditërisht nuk më kanë shkuar mbarë. Edhe lepuj kam rritur. Edhe ata i kam falë. Veç, ama, dhe mos u çudisni, nuk e di si është mishi i lepurit. Nuk kam mbytë asnjë në shtëpinë time. Kam mbajtur edhe pëllumba. Tani në pallat s`mund t`i mbaj më, sepse jemi aq ngushtë sa s`mund të mbajmë veten. Pastaj s’mund t’i bëjmë dhomat kopsht zoologjik!…
As gardalina nuk keni më?!
Tani as gardalina, jo. Një ndër shkaqet që kam hequr gardalinat, kanarinat, etj., ka qenë puna ime në teatër. Asnjërin nga të shtëpisë nuk e kisha merakli për këtë punë. Gruaja ime thoshte: “Na bajnë pis…”, komshiu: “Na bajnë zhurmë…”, baba, çuditërisht, më thoshte: “Si me m`gjujt me gur…” etj. etj. Pastaj shkonim në turne. Shpesh m`i linin pa ngrënë e pa ujë. Kështu sa të vuajnë gardalinat e pafajshme, ç`bëra, ia fala një çift kanarinash nga më të mirat Ndokë Palit, një mikut tim që linte “jetën” e “kokën” pas tyre.
Në mos gaboj keni pasur një dashuri të veçantë për zogjtë. E vërtetë?
Po. Unë kam pasur një shok të ngushtë dhe ky ishte piktori i talentuar Ismail Lulani, që dashurinë për zogjtë e kishte edhe më të madhe. Kishte dhe një durim të jashtëzakonshëm, do të thosha gjer në dhembje, për to. Ato krijesa i trajtonte si fëmijë dhe i adhuronte gjer në shenjtëri; aq sa, edhe eksperimentonte me zogjtë. I kryqëzonte racë më racë. Ismaili ka mbajtur edhe pëllumba, edhe pula tauke. Në shtëpi kishte vërtet një kopsht zoologjik. Kujdesej e nuk dinte kurrë të ankohej. Në shtëpi mbante gjëra të bukura, sepse shpirti i tij ishte i bukur. Le pastaj vepra e tij, është madhështore…
Ismaili sot nuk jeton. I ka lënë një boshllëk të madh qytetit tonë, Shkodrës. Ishte njeri i mrekullueshëm. Jemi rritur bashkë. Fillimisht ishte kursi i pikturës që na lidhi, të cilën e bënim në Shtëpinë e kulturës. E shoqëria jonë zgjati jo pak, por 50 vjet.
Gjatë një bisede që kemi bërë para disa vitesh, në mes të tjerave, kujtoj edhe këtë shprehje: “Unë erdha nga rruga…”. Mos po gabohem?!
Nuk gaboheni. Është plotësisht e vërtetë. Kjo më kujton fillimet e rrugës sime artistike. Fillimet artistike…! Mendoj se s`kanë asgjë të veçantë me të tjerët. ABC-ja e kësaj rruge fillon… Dhe nuk e di pse, sikur një zë i largët, i dashur, i pafajshëm sikur më thërret edhe sot. E vërtetë… Si të gjithë fëmijët, edhe unë e kam filluar me ato shfaqjet fëmijërore në mëhallën time. “Foleza” e parë ka qenë bodrumi i shtëpisë sime. Tani, përveç zërit të fëmijërisë, po thërras nëpër vite edhe kujtimet. Kujtoj mësues Lec Sekujn. Shkruante me dorën e majtë. Më vonë, po nga mësues Leci, por kësaj here isha në klasën e tretë, luajta në dramën “Rrugaçat e penduem”. Nuk e di kjo dramë a ishte përsëri inskenim, apo e shkruar nga dora e majtë e mësuesit tim të paharruar! Kujtoj se ishte një dramë e këndshme dhe edukative.
Më pas rruga ime ka vazhduar me recitime e me interpretime pjesësh teatrale. Në vitin 1945 kam interpretuar në dramën “Lufta e Tiranës” të S. Vaqarit, të cilën e vuri në skenë Shtëpia e Pionierit. Këtë pjesë, e kujtoj, që e kemi dhënë dhe te ish-shkolla e Parrucës. Ajo shkollë ka pasur edhe një sallon teatror.
Jam aktivizuar edhe në rrethin e pikturës, në korin e fëmijëve, në… Më ka pëlqyer çdo gjë artistike. Mbase këtu ka luajtur rol edhe natyra ime kureshtare. Më vonë jam aktivizuar në grupin teatral të Shtëpisë së Kulturës. Kam bashkëpunuar fillimisht me Teufik Dukën, më pas me Andrea Skanjetin, si regjisorë. Ndërsa për një kohë të shkurtër edhe me artistin Preng Lëkunda. Unë i thashë të gjitha këto, por t`ju them të drejtën, nuk kisha mendim të merresha me teatër. Siç duket dalëngadalë, në mënyrë të pakuptuar, erdhi e u poq dëshira për të parë spektakle. I shihja me kënaqësi, duke mos munguar asnjëherë. I shihja edhe me një sy kritik, sa mund të ishte syri im kritik, atëherë i një fëmije!…
Sikur më humbët nga rruga…?
Jo. Nga “rruga” kam ardhur… Po kujtimet janë aq të shumta sa nganjëherë nuk i lënë radhë njëri–tjetrit. Patjetër doni të dini si ka ndodhur…? Atëherë, punoja në NTLUS (… që të mos harroj, kam punuar edhe fotograf). Një ditë të bukur pranvere, mbaj mend që ka qenë e diele. Po bëja xhiro (traditë kjo e shkodranëve) në pjacën e qytetit tim, kur më ndali regjisori Andrea Skanjeti. Më thotë: “Bep, si do të ishte që të vije të punoje në teatër?” U habita. Pastaj duke qeshur i thashë: “Kush, unë…?! Pse mendon që e bëj këtë punë?!” Andrea më thotë: “Ti hajde njëherë, e provoje…!”
Caktuam një ditë dhe një orë. Para jurisë recitova një poezi, bëra një etyd si ma mori mendja, dhe si mbyllje tregova një barcoletë, nga ato me humor fin shkodran. Me siguri duhet të kenë mbetur të kënaqur, se pas dy ditësh erdhi të më kërkonte korrieri i Shtëpisë së Kulturës. Cuf e kishte emrin, Cuf kultura i thoshin në qytet. Tani fillova të mendoja seriozisht. Im atë, Kola, që ishte marrë shumë vite me teatër, sikur… s`ia donte qejfi. Shokët nuk më linin rehat. Më thoshin: “E ke vendin në teatër!” Dhe… “më detyruan”!
Hyra në teatrin profesionist të qytetit tim me 15 ditë vonesë. Ama hyra. Ishte viti 1960. Hyra dhe… mblodha mendjen. Në tërë jetën time artistike, i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe zbatuar këshillat e mësimet e regjisorëve. Kam punuar me shumë dëshirë dhe pasion, aq sa dija natyrisht, dhe kam ardhur deri këtu ku jam…
E kujtoni rolin e parë?
Roli im i parë si profesionist në teatër, që ka dhe një kujtim të mirë, ka qenë ai i Vel Sokolit në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit. Për mua mbetet i dashur se… Më dukej vetja sikur kisha hyrë në një pyll lisash me aktorë të vjetër që ishin me emër, që i kishin dhënë fytyrë teatrit “Migjeni”. E unë në mes tyre si një filiz kërkoja të shkoja sa më lart, me pa diell, që të rritesha. Pra, siç thashë, m`u besua roli i Velit. Kur bën një bilanc pune, rolet mund t`i krahasosh me ato gurët kilometrikë të rrugës. Megjithëse është i pari dhe jam larguar shumë, “qet kryet” më shumë se të tjerët. Sot po ta interpretoja atë rol dhe po të ishte mundësia ta filloja nga fillimi edhe njëherë, e di unë se si interpretohet ai rol.
Di që ka pasur të meta, di që është bërë dhe një shkrim ku jam kritikuar. Të metat e rolit të Velit kanë qenë jo nga mosdëshira ime, por nga mosnjohja e gjuhës së teatrit. Pra, mos harroni: “… unë vija nga rruga…”. Regjisori më fliste e unë s`e kuptoja, sepse unë nuk kuptoja gjuhën e teatrit. Tek unë njihnin disa cilësi që i kisha shfaqur në grupet amatore, por se kush është Bep Shiroka nga brenda askush nuk e dinte. Sidoqoftë, interpretimi im, duke pasur partnere Roza Xhuxhën (Anagnostin) sollën një atmosferë të re në teatër. Të mos harroj edhe emrat e Paulin Prekës, Rrok Dajçit, Fejzi Spahisë, Hajrie Sulës…
Në bisedën time përdora termin: “atmosferë e re”. Dhe kjo është e vërtetë. Ishte e nevojshme, sepse nuk kishte aktorë që të interpretonin rolet e të rinjve. Aktorët Lec Bushati, Tinka Kurti, Paulin Lacaj, tashmë kishin kapërcyer disi moshën…
Vitet e karrierës artistike dhe sa role keni interpretuar?
Më shumë se 40 vjet në teatër. Kam marrë pjesë në rreth 160 drama (premierë, dramë, komedi). Në shumicën e tyre, ndoshta edhe për fatin tim, ndoshta nga që s`kam pasur partner tjetër më të mirë se unë, pothuajse kam interpretuar role kryesore. Por edhe figurantësh, ashtu si dhe karakteresh… Kam pasur role të realizuara shumë mirë, mesatare dhe ato që s`kanë dalë hiç mirë. Bile, kam pasur edhe rast, për ndonjë rol kam bërë shumë përpjekje, dhe nuk e kam realizuar. Kjo ndodh në jetën e një aktori… Ndaj, dhe është i bukur teatri: një shfaqje nuk del si tjetra. Ashtu siç thuhet me të drejtë: “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”. Me një fjalë aktori interpreton shumë role, jo të gjitha janë të përkryer. Por ka pasur edhe dramë me nivel të dobët artistik, që unë kam pasur rol kryesor, dhe mund të them se… më dukej sikur nuk ishte interpretimi im… Nuk të ngacmonte. Nuk kam dëshirë ta kujtoj… Edhe kujtesa ime kërkon ta harrojë… Por ka pasur edhe raste, vërtetë role të vogla, tri fjalë i gjithë roli, por më ka dhënë krahë të fluturoj… Sidoqoftë unë për zemër kam 20 role.
Ne, qemë aktorë që punuam në kushte të vështira, kështu që nuk na u dha mundësia që të jepnim… Politizimi, formatet, skematizmi na mbinin si kërpudhat. Megjithatë në këtë mjedis u rritëm e u bëmë aktorë. Kam interpretuar në dramat e Kolë Jakovës, Fadil Krajës, Ndrekë Lucës, etj. Gjithashtu kam interpretuar rolin e Viktorit te “Histori Irkutase”, të Aleks Mushës te “Këneta”, të Shpend Sadrisë te “Plaku i Maleve”, të Dashit te “Fisheku në pajë”, të Dëshmitarit të shtatë te “Hetimi”, të Garsenit te “Me dyer të mbyllura”, të Reshitit te “Shpartallimi”, të plakut Amo te “Çmurosja”, të plakut te “Ftesë për darkë”, te “Baca i Gjetajve, te “Franku i V-të”, te “Vizita e inspektorit”, te “Rrena me kamë të gjata”, në teatrin e poezisë: “Kanga e dhimbjes krenare” e “Tregim për Makbethin”… e deri te “Ishulli i Shitenit” në rolin e Gabrielit, një personazh që më shkaktoi shumë lodhje fizike, shpirtërore e artistike për ta realizuar…
A keni rol apo disa të tillë që kanë hyrë në rezonancë me jetën tënde?
Çdo regjisor, kur niset për të dhënë një rol, sheh diçka tënden. Për shembull: përshkrimin që i ka bërë autori anës së jashtme të personazhit, botës së brendshme të tij, etj. etj. Pra, regjisori përpiqet të gjejë figurën që i përshtatet kësaj figure. Me që “të ka pa diku…” me ato tipare që përmenda më lart, shtoji edhe eksperiencën e aktorit, regjisori mendon se do ta bësh rolin e caktuar. Mund të ndodhin edhe zhgënjime… E rëndësishme është që aktori ta fusë veten e tij në rol në mënyrë të natyrshme, bindëse e jo të rëndomtë. Të japë nga vetvetja botën e tij të brendshme e të pasur…
Në pjesët teatrore që keni interpretuar, cili ka qenë mendimi juaj artistik për regjisorët?
Të gjithë regjisorët i kujtoj me nderimin më të madh. E duke trokitur në portën e viteve, kujtoj… kur kam hyrë për herë të parë në teatër. Regjisor: Andrea Skanjeti, një burrë shumë i mirë dhe me kulturë të gjerë. Jetën e tij ia fali teatrit.
Regjisor në teatrin “Migjeni” ka qenë dhe Lec Shllaku. Në atë kohë nuk kam qenë në teatër. Ishte regjisor me emër që, jo vetëm në teatrin e Vendlindjes por edhe në atë të Elbasanit la gjurmë. Në këtë të dytën emri i tij e krijoi atë.
Pas tyre, i pari që erdhi me shkollë të mbaruar, ishte Esat Oktrova. Teatri i Shkodrës i detyrohet shumë… veçanërisht brezi im. E deshëm shumë…
Pastaj në jetën time artistike, regjisori që ka zënë vend më shumë ka qenë Artisti i Popullit, Serafin Fanko. Jo vetëm një regjisor i talentuar, por edhe një aktor shumë i mirë. Ai punoi shumë vite dhe teatrit i krijoi një profil interesant. Unë kam pasur fat…
S`dua të harroj që kam punuar edhe me Mihallaq Luarasin te “Cuca e Maleve” e me Arben Kumbaron te “Franku i V-të”, që në këtë pjese unë kam luajtur një nga rolet më të dashura e më të bukura të jetës sime. Pavarësisht se spektakli u bë në një kohë të papërshtatshme, sepse ishte koha e fillimeve të Demokracisë, e atëherë kishte shumë rrëmujë, shkatërrime, zhurmë… Kështu që pjesa nuk pati jetë të gjatë. E përsëris, ishte një kohë kur thyheshin xhama, e për rrjedhojë edhe teatrit tonë iu thyen shumë xhama. Ndaj, u shfaq afro 10 herë. Por ama, ishte një vënie në skenë plot pasion e nivel nga regjisori Kumbaro.
Aktori, a mund të jetë një figurë e “harruar”?
Ehh..! Unë kam pasur fatin e madh, që kam punuar në teatrin “Migjeni”. Në mund ta krahasoj skenën e këtij teatri zëmadh me një lulishte, aty kanë lulëzuar të gjitha lulet, e në kuptimin figurativ, të gjitha lulet kanë qenë plot ngjyra e erëkëndshme.
Unë nuk dua që një aktor të jetë lule e harruar, si dhe harresa të jetë bashkudhëtare e aktorit. Aktori me lojën e tij, kurrë nuk e ka lënë skenën ta mbulojë pluhuri, aq më shumë ai i harresës. Skenës, jeta e aktorit i ka dhënë jetë! E, nga që s’e kam dashur kurrë harresën, dua t’i them së paku nja dy fjalë kujtimi për disa figura të harruara në thonjëza, të cilët kanë dhënë talentin e shpirtin e tyre, dhe me dashuri kanë skalitur e krijuar fytyrën e teatrit “Migjeni”. Përmenden Tinka Kurti, Zef Jubani, Vitore Nino me të drejtë; por janë edhe disa figura të tjera që kanë qenë krahas tyre, vërtetë, ndoshta kanë thënë dy fjalë, por në interpretimin e atyre dy fjalëve kanë shkëlqyer, kanë qenë si dritë. Të kanë emocionuar! Ato u ngjajnë edhe yjeve. Edhe pse të vegjël e në largësi, ata ndriçojnë. Janë, ama, yje!…
Të tillë kanë qenë Adem Kastrati, Artist i Merituar. Një ndër aktorët e rrallë që ka pasur teatri “Migjeni” për sa i përket talentit dhe intuitës së tij ekzakte. Pa hyrë në detaje të jetës së tij që ishte një njeri i mrekullueshëm. Paulin Lacaj, një aktor karakteresh i mrekullueshëm, një burrë fort i mirë, i urtë, zotni në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili e punonte rolin me detaj; detaj, detaj çdo gjë. Ka qenë Ndoc Sheldia, brilant, vërtet me disa gjëra të vogla, por që shkëlqente. Ka qenë Prenkë Lëkunda, i fuqishëm shumë. Ka qenë Pistol Soja, Jonuz Dini, Klotilda Shantoja, – kjo e fundit një aktore karakteresh e shumë simpatike, një njeri me humor të këndshëm dhe pastaj një këngëtare po me një zë të bukur.
Prandaj kur hyra në teatër, u gjenda në mes këtyre njerëzve që më ofruan një botë të madhe e të magjishme aktori. Dhe, kur hyra unë, hynë dhe Paulin Preka, që pse edhe më vonë kaloi në estradë, ka qenë një aktor i rrallë në dramë, Roza Xhuxha kishte dy vjet përpara; hyri Rrok Dajçi, Fejzi Spahia, Hajrije Sula, një aktore e mrekullueshme, që më vonë kaloi në estradë por edhe në teatër ishte e tillë.
Ja, pra, këto edhe të tjera, që lanë gjurmë në skenën teatrore, nuk duhet të jenë të braktisura në vite, është e pafalshme të mos kujtohet njeri, është e pafalshme të mos respektohen vlerat që u krijuan në dekada.
Partnerët… me siguri i kujtoni…
Si jo.
Siç e thatë vetë “pika e dobët” e juaja është piktura. A mund të na vizatoni disa nga partnerët?
Po mendohem… Fillimisht dua të them se skena është një vend i dashur, i shtrenjtë dhe i shenjtë. Aty, përgjegjësinë e kemi njëlloj, si ai që ka një ditë në teatër, si unë që kam 40 vjet. Jemi përpara spektatorit. E spektatori nuk do të dijë: kush jam unë e kush është ai. Në qoftë se ai apo unë me interpretimin kemi lënë mbresë, në fund të fundit kemi bërë punën. Për këtë arsye, në vështrimin më të gjerë, unë i kam quajtur edhe spektatorët partnerët e mi. Më kanë dashur e më kanë duartrokitur. I falënderoj dhe u jam borxh gjithë jetën. Edhe sot që kam dalë në pension, kur takohem me shumë prej tyre, gjatë komunikimit me to, e kuptoj që akoma nuk kam dalë në pension…
Tani të vijmë te “pika e dobët”. Pothuajse të gjithë i kam pasur partnerë. Partnerja e parë që kam interpretuar në teatër, ka qenë Roza Xhuxha (Anagnosti). Më pas, për një periudhë shumë të gjatë kohe, ku numërohen një sasi e madhe dramash, partnerja kryesore ka qenë Tinka Kurti (Artiste e Popullit). Është privilegj, nder e kënaqësi të interpretosh me një partnere të tillë. Duhet të kesh aftësi të luash me të, sepse është aktore e fuqishme dhe me një diapazon të gjerë. Prej saj kam mësuar shumë…
Dua të kujtoj, se edhe në shumë drama kam pasur partnerë: aktoren e talentuar Vitore Nino, mikun e zemrës Ndrekë Prelën, Lec Bushatin, Prenkë Lëkundën, Ymer Balën të cilin e kam shumë mik. Ai sot është larg, e unë kam mall për të… Po ashtu kam mall edhe për çiftin Shllaku (Paskualinën e Brunon), s’mund të harroj Nefail Piraniqin, të mrekullueshmin si njeri e si aktor… Të gjithë i kam pasur partnerë, ashtu siç e thashë dhe në fillim, dikë më shumë e dikë më pak… Kjo është jeta! Ne, aktorët kemi ndenjur më shumë me njëri-tjetrin se sa me njerëzit e familjes…
Si keni punuar me rolin dhe si e keni mishëruar atë artistikisht?
Unë s’mund të them se kur kam bërë këtë rol, kam ndenjur pa gjumë. E për të shitur mend, mund të thosha: “kam ba kështu, ose, kam ndejë pa ngrënë, ose, kam shiku filanin, ose, jam vu mbrapa filanit si ecën… Këto punë me të thanë të vërtetën nuk i kam ba.”
Jam përpjekur t’i realizoj rolet sa më thjeshtë, sa më njerëzore. Kështu kam menduar se u jap jetë e ata jetojnë. Këtu ka dhe një problem. A ia kam arritur t’i vizatoj, kjo është punë tjetër. Këtë do ta thonë studiuesit e kritika, si dhe spektatorët… Unë, në karrierën time artistike, kam ndjekur në mënyrë rigoroze parimin që ka pasur aktori i pazëvendësueshëm i humorit shqiptar, aktori brilant Mihal Popi, kur i thoshte regjisorit: “Unë dua të di tri gjëra: – Cili është ky rol, ky personazh?, – Çfarë bën?, – E ku shkon?, Të tjerat i di unë!”
Me atë interpretimin e tij të thjeshtë gjer në madhështi, Artisti i madh Mihal Popi (që lindi në Shkodër ashtu sikurse artisti tjetër i madh, Sandër Prosi), la kryevepra rolesh, si: dy prefektët: Qazim Mulleti e Andon Andonoviçi, atë të kalorësit te “Zonja e bujtinës” etj. që mbeten të pavdekshme në fondin e artë të komedisë shqiptare. Të kuptohemi, këtë nuk e bëj të krahasoj veten me Mihal Popin, sepse nuk jam kurrkund, por nuk i kam ngatërruar shumë gjërat, s’kam bërë teori të mëdha e filozofime çudibërëse. Jam munduar të punoj thjeshtë. Jam përpjekur që të qëndroj me këmbë në tokë. Kjo më ka ndihmuar që të qëndroj e të mos rrëzohem. E, ky është sekreti në mund ta quajmë i “imi”. Sekret tjetër s’kam…
Gjithmonë e kam pasur si veçori timen apo si natyrë: jam përpjekur ta shoh rolin që në momentin e parë, ta lexoj. E kam vizatuar në mendjen time se, kështu duhet të jetë ai. Doemos më ka ndihmuar shumë edhe vizatimi. Shpesh herë kam bërë iks personazh: o të veshur kështu, ose të veshur ashtu. E kam bërë në disa plane dhe më kanë dhënë rezultate për t’i parë më mirë disa gjëra. Edhe një kuriozitet. Tekstet e mia i kam me plot personazhe të “vizatuara”, shumica e të cilëve i kam interpretuar.
Një pyetje përsëri për rolin: çfarë i keni marrë dhe çfarë i keni dhënë?
Jam përpjekur të mos jem “mbinjeri” e mbi të tjerët. Nuk më kanë pëlqyer fluturimet. Më pëlqen (dhe kam bërë gjithherë) që profesioni im të mos jetë mbi profesionet e të tjerëve. Kur nuk e respekton profesionin e tjetrit, qoftë edhe saraç po të jetë, mos prit ta respektojnë të tjerët profesionin tënd. Kjo është jeta. Edhe ky, edhe kjo, edhe ai, edhe ajo… të gjitha i shërbejnë jetës, siç i shërben profesioni im si aktor. Se ne, aktorët, jemi si në vitrinë. Jemi atje në skenë, ku ulur në karrige na vështrojnë e na ndjekin mijëra sy. Ndaj, në jetën qytetare ka një njohje të gjerë. E pse jo edhe nga klubet e kafenetë mund të kesh ftesa… E rëndësishme është, të mos bësh lëshime të tilla që të dëmtojnë personalitetin tënd. Sidoqoftë fjala e urtë e popullit: “Të njohin shokët, a je i mirë, moj nanë!”, mbetet gur i çmuar në jetën time.
Tani të vijmë tek pyetja: “Çfarë keni çuar në teatër?”
Të gjitha këto besoj që reflektohen në skenë te rolet… Kujtoj, kur mora titullin “Artist i Merituar”. Them që kishin kaluar dy muaj. Po dilja nga teatri. Binte një shi, si në Shkodër. Kisha kaluar kthesën e teatrit, kur më afrohet një njeri i veshur me një peliçe nga ato pambuku, e me një palë çizme të mëdha e tërë baltë. Më thotë: “O Bep Shiroka, më erdhi mirë që të kanë nderue”! Në të vërtetë nuk e njihja. Bile as nga pamja nuk e pashë. Më bëri përshtypje urimi i tij i veçantë me shpirt e pa hile… S’e harroj. Më bëri të mendoj: “Paskam bërë edhe unë diçka për këtë qytet, për Shkodrën time!”
A ju pëlqen humori?
Natyrisht që po. Se Shkodrës nuk i kanë munguar humori dhe humoristët. Të qeshurën shkodrani e merr me qumështin e nënës. Por unë kam lindur në një shtëpi që është bërë humor. Jam i biri i Kolë Shirokës, i njohur, në Shkodër, për humor e Karnavalet.
Përmendët babain?
Po. Nga ai kam trashëguar dashurinë për pikturën, për muzikën…
Edhe humorin…
Edhe humorin, sigurisht. Por s’kam qenë i zoti sa ai. Ah, edhe diçka. Humori i babës tim më ka ndihmuar të ndërtoj figurën e xhandarit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Gjithnjë me humorin. Jam nipi i Filip Daisë, i përmendur për barcoletat e famshme shkodrane. Vetë nëna ime, e kujtoj, që pat thënë: “Në kët’ shpi vetëm qeshet”. Kështu jam rritur në ambient humori dhe patjetër që kam marrë diçka… Jo se jam komik. Nuk e quaj veten të tillë. Në fakt nuk jam, aq sa nuk di me qitë një bejte me dy rreshta.
Veten e quaj aktor të dramës, se drama më pëlqen, ajo zë vendin e parë. Çdo aktor është mirë që nga njëherë të lozin edhe komedi. Dikush mund të thotë: “Nuk mundem!” Unë ruaj mendimin që, aktori ka nevojë të ndërrojë fytyrë që ta zgjerojë fytyrën e vet, të largohet nganjëherë edhe prej “vetullave të ngrysuna” të dramës.
Ndonëse kanë kaluar vite, dua t’ju pyes: “Si e organizonte babai juaj, Kola, festën e Karnavaleve?
Karnavalet janë një nga shumë aktivitetet, për të cilat qyteti i Shkodrës, ka ngritur i pari flamurin. Pra, Shkodra është qyteti, ku për herë të parë u zhvillua festa e karnavaleve që daton në vitet 1878. Karnavalet organizoheshin në dy ditë: të dielën për fëmijët dhe të martën për të rriturit. Që prej kësaj kohe karnavali u kthye në një festë të gëzueshme popullore që vinte në dukje fenomenet negative.
Karnavali, me sa kam njohuri unë, është një festë pagane, por që është përpunuar në vite dhe është përshtatur sipas kushteve specifike të vendeve të ndryshme. Në vendin tonë, festa e karnavaleve ose siç thoshte populli “festa e surretënve”, zhvillimin më të madh e mori në fillim të viteve ’30. Kjo festë organizohej nga popullsia e besimit katolik, një natë para se të fillonin të Lidhurat (kreshmet), por që e shijonte dhe merrte pjesë pastaj i gjithë qyteti pa dallim besimi. Festa zakonisht fillonte ditën e martë në mëngjes dhe përfundonte në darkë. Në këtë spektakël nuk kishte organizatorë, në të merrnin pjesë të gjitha shoqëritë kulturore të këtyre viteve, kur them se ishin afro 4000 pjesëmarrës pa llogaritur pastaj numrin e shikuesve që edhe këto me veshjet e tyre merrnin pjesë në dekorin e kësaj shfaqjeje. Si traditë e kësaj dite, ishte përgatitja e petullave, djathit dhe rakia. Çdo familje hapte dyert e shtëpive dhe njerëzit hynin e dilnin tek njëri-tjetri, pavarësisht se nuk njiheshin. Grupet e shoqërive që përgatiteshin në Itali, vinin një muaj para festës. Po kështu mjeshtërit shkodranë një muaj para festës fillonin shitjen e maskave për këtë ditë. Kjo atmosferë ka vazhduar gjer në vitin 1940, ku karnavalet u ndërprenë për arsye të luftës.
Temat kryesore që trajtoheshin ishin hallet dhe problemet e popullit të asaj periudhe. Ky grup karnavalesh që kryesohej nga Kolë Shiroka arriti të japë shfaqje gjer në Tiranë para pallatit mbretëror duke tallur ministrat e atëhershëm. Kjo ka bërë që shoqërisë “Rozafat” që përfaqësohej nga Kolë Shiroka, t’i ndalohej organizimi i karnavaleve.
Me mbarimin e luftës, rreth viteve 1950, babanë e thirrën për të organizuar një karnaval, por këtë herë tema ishte politike dhe e porositur nga lart. Duhej të talleshin Çurçilli, Trumani, De Goli, Titoja, etj. Si për të konkretizuar këtë festë, sollën në shtëpinë tonë dy kuzhinierë që të gatuajnë petullat, disa kuti teneqeje me djathë, si simbole të kësaj feste. Këta tipa karnavalesh me porosi nga lart, u zhvilluan 2–3 në periudha të ndryshme, si gjithnjë tematika ishte në funksion të qeverisë komuniste. Karnavalet janë festuar në Shkodër deri në vitin 1967. Pas këtyre viteve kjo traditë u la në harresë, për të rilindur përsëri pas vitit 1992.
Atëherë, le të kthehemi përsëri tek figura e aktorit. Çfarë kanë ndryshim këto dy plane (komik e dramatik) dhe ku e ndjeni veten më mirë?
Më mirë… Njeriu e ndjen veten më rehat aty ku i pëlqen më tepër, ku të ngacmon. Unë e ndiej veten, siç e thashë më sipër, në dramë. Një shembull. Drama “Hetimi” i P. Vajs-it, vënë në skenë nga Artisti i Popullit, Serafin Fanko. Ishin vitet ‘80.
Në atë dramë nuk kam ndonjë rol të madh. Kam një personazh, që quhet Dëshmitari i 7-të, që flet tri herë nga një batutë dhe ka një monolog shtatë minutash. Shtatë minuta monolog! Ishte një monolog që edhe gjysmë minute të rrija më tepër në skenë, s’isha i zoti të qëndroja në këmbë. Në atë monolog kalonin të burgosur, të vdekur, njerëz që torturoheshin, që qanin, të lemerisur, të tmerruar, që bërtisnin, që klithnin, që shpresonin, që ëndërronin, kocka, fëmijë e gra të mbytura, fëmijë që s’arrin të shqiptonin një fjalë, gra që kërkonin ndihmë… Çfarë nuk kishte ai monolog brenda!
Por, unë atë rol, në karrierën time artistike, e kam si një gur të çmuar dhe e ruaj të çmuar. Është një kujtim i bukur dhe i paharruar! Unë nuk them se rri keq edhe në komedi. Por për sa i përket rëndësisë së punës janë njësoj si drama e si komedia. Për komedinë, unë jam kundër disave që thonë: “Hajt, se komedi po lozim.” Dhe harrojnë se edhe në këtë gjini duhet të kesh, bile, më disiplinë se sa në dramë. Personalisht, jam edhe me mendimin që të ketë improvizime të sakta, por që e përligjin artistikisht situatën. Pra nuk jam për krijimin e batutës për batutë, dhe aq më shumë që kjo është komedi. Sepse, kjo gjini do mund, djersë, mendim, ndoshta më tepër se sa drama. Prandaj, unë, kur jam duke interpretuar në dramë ose komedi, them, se jam duke interpretuar në teatër.
Të ndalemi te filmi me që na nxori “rruga”, desha të them… biseda. Keni krijuar dy figura interesante, që do të mbahen mend gjatë: Fanatiku te “Çifti i lumtur”, xhandari te “Koncert në vitin 1936”. Si i ka “vizatuar” loja interpretuese e aktorit Bep Shiroka, rritur në një ambient shkodran?
Para se t’i përgjigjem pyetjeve po bëj një parantezë. Po e përsëris: zakonisht jam marrë më dramën. Atë e kam për zemër. Por… nuk do të ishte keq që aktori gjatë punës të luante edhe në komedi. Diku, më sipër, unë e kam shtjelluar me gjerë këtë problem. Po e theksoj, sepse dua ta lidh me veten time. Mendoj që nuk është e prerë: “O në dramë, o s’ka! O në komedi, o s’ka!” Duke u nisur nga ky mendim i hyra komedisë. Komedia e parë që e kaloi “provimin” me sukses ka qenë “Çifti i lumtur” i Bik Pepës. Tani parantezën e mbarova. Po i jap përgjigje pyetjeve.
“Çifti i lumtur” ka një histori. Fillimisht ishte skeç. E pa aktori i talentuar i humorit, Artisti i Popullit, Tano Banushi, e tha: “Ta bëjmë komedi!” Biku (Pepa) nuk hezitoi. E punoi shpejt. Punuam të gjithë me qejf me në krye regjisorin e talentuar Serafin Fanko, i cili, na la të “lirë”. E ne çdo ditë bënim humor më përpara me njëri-tjetrin, se sa të fillonte puna për komedinë. “Qit e prit” batuta, sa nga unë, sa nga Vitorja, sa nga Nefaili, sa nga Marija, që ishim aktorë në këtë komedi. Pastaj vinte seleksionimi artistik, dhe çfarë mbetej me vlerë bëhej mish i komedisë.
E shfaqëm. Jehona e suksesit ra në veshin e aktorit Ndrekë Luca e më vonë të regjisorit Piro Mani. Sugjerimi i tyre ishte të bëhej film. Dhe unë në këtë film luajta rolin e Fanatikut. Para se të flas për rolin, dua të jap edhe një mendim për filmin: më duket se nuk ka dalë shumë filmik, sikur është pakëz i ngurtë, mbase i besuan shumë komedisë nga që ishte e gatshme.
Tani për rolin e Fanatikut… Jam përpjekur me dhanë shkodranin, jo për fajin e atij “Fanatiku”, po për fajin e kohës që kaloi, që jo pak kanë pasur dy fytyra: një në shtëpi, një në punë. Pra, si bazë ka qenë njeriu me dy fytyra. Nga shkrimet që kam lexuar në shtyp, interpretimi im në dhënien e kësaj figure është pritur mirë. Siç duket ka tërhequr vëmendje.
Kam pasur fatin që komedisë në fjalë i kam bërë dekorin. Kështu që shtëpinë e Fanatikut e kam bërë me musandër shkodrane. Shtëpitë siluetë, kurse musandrën realiste, butafori e vërtetë. Kjo ishte për komedinë që e vumë në skenën e teatrit “Migjeni”. Kur u bë film, do t’ju tregoj që e kemi bërë me rrobat, orenditë dhe mobiliet e shtëpive tona. Bile mori pjesë edhe kanarina ime e dashur, që në film pati fatin e keq që në një moment xhirimi u rrëzua dhe vdiq, e shkreta! U bë “theror” për filmin. Mua m’u dhimbs… Më kujtoi zogjtë, që i dua aq shumë!
Para se të kalojmë te filmi “Koncert në vitin 1936”, një mendim për figurën e hallës, me të cilën keni dialoguar gjatë shumë sekuencave të filmit, dhe që u interpretua nga aktorja Vitore Nino, Artiste e Merituar?
E kam thënë edhe në një intervistë, Vitore Nino është një aktore brilante. Asaj i buronte humori me të gjitha ngjyrat. I buronte në mënyrë krejt të natyrshme, pa sforco. I kishte shoqet e rralla…
Tani…
Tani për filmin “Koncert…” puna ndryshon. Nuk ka ndodhur si te “Çifti i lumtur”. Ishte i ndërtuar me skenar, skenar për filmin. Pra, kishte të tjera hapësira. Rolet ishin të ndërtuara jo si në teatër. Regjisori Saimir Kumbaro më dërgoi skenarin me shënimin: “Bep, zgjidh, kë të duash rol”. T’ju them të drejtën më pëlqeu roli i xhandarit. E kam punuar me shumë dëshirë. Mbase ndikoi dhe grupi i mrekullueshëm që ishim, si Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Roland Trebicka… të gjithë, të gjithë deri të banori i fundit i Libohovës. Edhe ata e ndjenin veten pjesëtarë të këtij filmi. Ndoshta është i vetmi film që kam kaluar shumë mirë. Ta them me të vërtetë si me këtë film…. ndonëse kam luajtur 20.
Në këtë film kam interpretuar rolin e një xhandari, që kujton se është gjithçka e s’është asgjë. Ky lloj tipi shkon pas prefektit, pas kryetarit të Bashkisë, pas gjithë nëpunësve, merret me mbytjen e qenve, me vendosjen e afisheve, pra merret me të gjitha, bërtet në kupë të qiellit kot së koti, por askush nuk i vë vesh. Pastaj kur është fjala për detaje, kam parasysh disa persona të caktuar, p.sh. kur rrahu me shufër të gjatë, kam parasysh një punonjës tonin në teatër, që kur bënim shfaqje për fëmijë mbante një thupër të gjatë. Hipte në gropë të orkestrës, tundte me nervozizëm thuprën. S’i linte fëmijët as të qeshnin, edhe kur ishte skena për të qeshur.
Përsëri me Bepin si aktor filmi…
Më bëhen rreth 20 filma. Do të kisha pasur më shumë, por çdo herë jam penguar nga teatri. Jo, se kishte kush ndonjë mendim të keq për mua, por unë isha i angazhuar në të gjitha pjesët që shfaqeshin në teatër. Kështu që nuk i leverdiste askujt që unë të bëja “mungesa”. Megjithatë ka pasur një periudhë që unë kam kaluar nga filmi në film… dhe për këto kam kujtime të bukura. Kam filma që më pëlqejnë, si “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 1936”. Dua të përmend edhe një film që unë e kam dashur shumë, por pati një fat të keq… Ky ishte “Historiani dhe kamaleoni”. Dhe odiseja e tij fillon, kur i presin 600 m film filmit. I prenë, por s’ditën çka ngjitën e ku ngjitën. Më pas më thirrën pas 6 muajsh për të xhiruar disa skena të tjera, por ehhh… u shkatërrua ai film. Po përmend edhe disa filma: “Si gjithë të tjerët”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, etj.
Nga filmi kalojmë përsëri tek teatri… Njiheni edhe si skenograf?
Skenografia zë një vend të rëndësishme në jetën time artistike. Gjithnjë kur kam marrë rolin e një drame, atë e kam parë me dekor, edhe kur s’kam qenë skenograf i asaj shfaqjeje. E kam ndërtuar dekorin me fantazinë time. Përpjekja e parë për të ndërtuar një dekor ka qenë drama “Zekthi” i E. Vojniç-it. Me aftësitë e mia zgjidha 12 tablotë e kësaj drame. Pastaj kam punuar skenografitë e dramës “Fisheku në pajë” të Fadil Krajës, të komedisë “Çifti i lumtur” të B. Pepës etj. Bëhen gjithsej 30 skenografi. Më përmendët skenografinë, por unë po gjej përsëri rrugë për të folur edhe pak për pikturën. Është si puna e gjuajtjes së peshkut, mikrob i vjetër kjo piktura. Kur shkonim në turne, me vete merrja dhe kasetën me ngjyra. Një peizazh, një portret, një skicë-ide, një kompozim… kanë qenë kënaqësi të veçanta për mua! Kam marrë pjesë në ndonjë ekspozitë kombëtare. Për 25 vjet rresht kam qenë amator i rregullt i ekspozitave lokale. Piktura ka qenë dashuria ime e parë…
Cilat janë kujtimet më të bukura të jetës në teatër?
Kjo është një pyetje e vështirë. Kam kaluar një jetë të tërë në teatër. Emocione e “provim” ka qenë çdo premierë e re. Nuk mund të harrohen shqetësimet dhe loja e aktorëve për ta bërë shfaqjen sa më të bukur, gjithashtu shqetësime të natyrshme të punës sonë, roli kur ka dalë i mirë, gëzime e shqetësime, e plot momente të tjera që nuk harrohen lehtë… Kemi pasur momente solidariteti me njëri-tjetrin ndër momente shumë të vështira… Gjithsesi edhe në këto momente kishte edhe rreze kënaqësie me njeri-tjetrin, batuta e kundërbatuta, të qeshura… Dhe e qeshura, ndërmjet shokësh, çuditërisht kishte një ngjyrë vëllazërimi, miqësie e dashurie…
Çfarë ju ka mbetur peng nga puna në teatër?
Jo vetëm Bep Shirokës, por edhe shumë aktorëve të brezit tim, na kanë mbetur shumë gjëra peng pa u interpretuar. Aq më tepër ne, aktorët e provincës, po i quaj kështu se, dashur pa dashur kështu kemi qenë. Se në Tiranë hapësira ka qenë ndryshe dhe është ndryshe, konceptet mbi civilizimin kanë qenë në lartësi të tjera, nga rrethet e tjera.
Ne jemi aktorë disavjeçarë me një eksperiencë shumë të madhe. E pengu ynë është se nuk e provuam Shekspirin, apo klasikët e tjerë të dramaturgjisë botërore… Ky është një boshllëk i madh për aktorin. Në fund të fundit ky ishte fati ynë…
Sa e ndjeni heshtjen e studios?
Unë me shokët e mi kaluam një jetë në teatër, në studio. E kujtoj edhe tani atë studio të mbushur me tymin e duhanit. Ajo ishte bërë shtëpia e dytë, për të mos thënë shtëpia e parë, e jona. Sepse më shumë kemi ndenjur në teatër se sa në shtëpi. Njeriu ka kujtimet e tij. Kujton rolet e para, e pse jo edhe debatet, krijimin e figurave artistike… etj., etj. Që të gjitha këto, e shumë të tjera që lashë pa përmendur, lidhen në mënyrë të padukshme me atë që quhet studio. Ndoshta të sjellë momenti, rasti, ftesa apo malli, por shkoj në teatër. E gjej të heshtur atë studio! Në heshtje të plotë. Sikur s’jeton kush, sikur s’punon kush. Të vjen keq, vrenjtesh në fytyrë, të ikën gëzimi…
E…, duke mos iu larguar studios, dua t’Ju pyes: sa e mobiluar ka qenë ajo?
Nuk qëndron e gjithë vlera e një shfaqje te mobilimi. E para duhet të jenë njerëzit e talentuar për të bërë këtë shfaqje. Pastaj të ketë një drejtim të përsosur, të ketë një material dramatik të mirë në dorë. Kur të jenë këto, edhe sikur dy karrige të ketë studioja, shfaqja bëhet e mirë, shfaqja prapë bëhet e bukur… Natyrisht mund t’i mungojnë disa garnitura të vogla, por nuk ia zbehin vlerat e vërteta shfaqjes. Po e përsëris: karriget, dritat, efektet e dritave, skenografia… etj. etj., ndihmojnë, por ato tri gjëra që përmenda në fillim janë baza. Po e përsëris, më shpresë duke mos u bërë i bezdisshëm: mundesh me dy llamba, dy karrige, pa dekor; të bësh një shfaqje të mrekullueshme.
Po cila është magjia e studios?
Unë kam hyrë në studion “Zef Jubani” më 2 shkurt 1960. Aty kam ardhur pas një hezitimi. Pastaj e vendosa përgjithnjë. Hyra në studio. Pashë ata aktorë që unë i kam parë në ëndërr, por… se mund të vijë një ditë të punoj e të jetoj me ta, asnjëherë nuk e kam menduar. Aty gjeta V. Ninon, T. Kurtin, V. Sekujn, R. Xhuxhën, P. Lëkundën, A. Kastratin, P. Lacajn, L. Bushatin, Nd. Prelën… Më të rinjtë P. Prekën, P. Sojën etj., regjisor Andrea Skanjetin. E unë u gjeta në mes tyre. Gjeta ngrohtësinë e atyre njerëzve. Portat e shpirtit të tyre ishin pa çelësa. Më morën. Nuk shikuan diferencën e moshës. Më afruan dashamirësi. Thitha atë çka ishte më e mirë, çka ishte më e bukur e më me vlerë në fushën e aktrimit. Dhe këtyre njerëzve, në çdo moment, edhe sot e kësaj dite, u them: Faleminderit!
Spektatori Ju ka dashur e duartrokitur gjithmonë… Cila është fjala Juaj…?
Jo sot, jo sot në këtë moshë që jam, por edhe kur kam qenë në fillimet e mia, spektatorin e kam quajtur një ndër gjërat më të rëndësishme në punën e njerëzve që punojnë në teatër. Teatri i Shkodrës ka pasur emër të madh. Por një meritë të këtij emri, ja ka dhënë edhe spektatori me inkurajimin, me dashamirësinë që ka pritur çdo shfaqje e që ka duartrokitur çdo aktor. Spektatori, veçanërisht ai shkodran, na ka ndjekë, na ka përkrahë, na ka respektuar… Një artist skene nuk do gjë tjetër më të madhe së këto. Dhe unë kam plot ngjarje për të treguar… Po mjaftohem vetëm me dy.
E para,
“Ishim në një turne artistik në qytetin e Vlorës. Po afronte Viti i Ri. Ju e dini që Vlora ka portokalle. Duhej të merrja për vete, për nënën, për… (bëheshim shumë vetë në familje). Afrohem. Në të vërtetë radha ishte e gjatë.
– Çfarë do ti, Shkodër? – më tha shitësja.
– Portokalla, kishe me dashtë.
– Po, do t’i marrësh, si s’do t’i marrësh! Largohuni, ju, gjithë të tjerët. Mos t’ju vijë keq! Ky është aktori i Shkodrës. E njohim të gjithë. Po unë do t’i jap çfarë kërkon…
Me të thanë të drejtën me erdhi zor…, se kishte shumë njerëz në radhë. Por të gjithë më nderuan, si vetë shitësja”.
E dyta,
“Përsëri Viti i Ri. Kësaj here në Tiranë. I afrohem një dyqani, ku kishte plot njerëz.
– Largohuni, t’i japim atij Fanatikut të hallës, diçka, – foli shitësja. Hajde, ti, Fanatiku!…
Bleva gjelin e detit dhe ca mollë”.
Ky është spektatori që në çdo rast të respekton. Ndjeva një emocion të veçantë. I thashë vetes: “… siç duket… edhe unë paskam bërë diçka të vogël, paskam lënë një gjurmë, u paskam krijuar kënaqësi këtyre njerëzve, të cilët po ma shpërblejnë sot.
Bep Shiroka 73 vjeçar. E kujtoni fëmijërinë, rendjen pas gardalinave?
Bashkë me mallin e fëmijërisë më vijnë edhe këngët e zogjve. Për të gjuajtur gardalina kam dalë në livadhe, te Fabrika e Tullave. Më tepër kam dalë te penda e Kirit. Ishte fushë atje. Nuk kishte vetëm fëmijë, por edhe burra, bile edhe burra me mustaqe që gëzoheshin e bëheshin fëmijë, kur gardalina binte në kapak të traplit. Nuk është për t’u çuditur, pasioni kështu e ka… Gjithashtu dua të them, që i vogël kam hyrë shegert, herë te ndonjë rrobaqepës herë te ndonjë argjendar. Lagia sokakun, u blija ushqimet e shtëpisë etj., etj. Më vonë kam punuar në bujqësi, piktor, fotograf… Që të gjitha këto më kanë bërë t’i them “jo” punës. Të gjitha këto më kanë ndihmuar në punën time në teatër. Më kanë bërë të njihem, të shikoj, të prekë gjërat me dorë, pra, të depozitohen të gjitha tek unë.
Po sot, si vazhdon rituali i ditës?
Çdo ditë rreth orës 8.00 të mëngjesit dal nga shtëpia e me këmbë bëj rrugën deri te Ura e Bunës. Kam qejf të lëviz një fije, se jam shëndoshur shumë. Kjo është gjimnastika ime.
Përse keni zgjedhur si stacion të fundit: Urën e Bunës?
Nuk e di, por… unë me origjinë jam nga Shiroka. Të parët e mi kanë jetuar pranë ujit. Pastaj, ku ka ujë, ka jetë. Ndoshta… më merr malli për ujin! Në valëzimet e tij sikur ndiej zërat e të parëve të mi, fëmijërinë e tyre, fëmijërinë time, e pse jo edhe fëmijërinë e nipave dhe e mbesave të mia.
Kështu është e përditshmja?
Po, përveç së shtunës. Fundjava më zë me miqtë e mi të vjetër, te “Freskia”, një lokal, edhe ky te Ura e Bunës. Kur pimë atë kafe apo atë gotë konjaku, na duket sikur jemi nën mbrojtjen e Rozafës. Edhe pse kanë kaluar shekuj, ne ende vazhdojmë të dëgjojmë porositë e saj.
Nuk keni frikë që hyni në legjendë?
Ah, jo, jemi më shumë se tre ustallarë. (qesh) Dhe kështu, organizator kemi Kel Spatharin simpatik, tepër simpatik (tashmë ka ndërruar jetë, – shënimi im Xh. B.). Pastaj atij që i rri karrigia bosh, mjekut Sandër Ashta. Ka qenë lezeti i tavolinës. Nuk jeton më. E ruajmë kujtimin e tij. Në karrigen e tij nuk ulet askush. Gotën e ka të mbushur gjithmonë. Pastaj vjen Ismail Sulo nga Tirana. Është mjeku tjetër ky. Vjen çdo javë. Ka vendin e vet. Kemi Kel Pogun. Ka qenë mekanik në PAM. Kemi Ndoc Gjergjin, inxhinier. Ka shëtitur hidrocentraleve. Tani është në Itali. Vjen shpesh. Kemi edhe dy mekanikë: Bahri Cikojën e Ndoc Kapcarin. Këto janë “ustallarët” e kësaj tavoline që mblidhen çdo të shtune te lokali “Freskia”…
A i thoni vetes, edhe kjo ditë më iku kot?
Shumë herë… Ndonëse mundohem të mos e kaloj kohën kot. Herë me një shok, herë me një libër (dua shumë Fishtën e Migjenin. Shvejku më argëton gjithnjë. Mbetet përherë aktual), herë me një tablo (se piktura është pasioni im i vjetër), herë me një… Por ka edhe ditë që pyes veten time: “Po sot, ç’ka të bëj?” Dhe vetvetiu më kujtohet një poezi e tim eti, Kolës, kur thoshte në kohën e Karnavaleve: “Nuk ka se ku shkon ma zi/ me t’ardh keq se doli drita/ nga që i mjeri zanatli/ me duer n’ijë rri se ban dita”.
Sa vend zë Shkodra në bisedat tuaja?
Shkodra, qyteti ynë i lindjes, zë vendin kryesor. Dashuria për të është e pafund… Shtytës është doktor Ismaili (Sulo) (tashmë ka ndërruar jetë, shënimi im Xh.B.). I pasionuar dhe idealist për Shkodrën, don të dijë çdo detaj të saj. Në të vërtetë janë dhe bisedat për Shkodrën, të pafund…
Mos harro se, rreth kësaj tavoline që mblidhemi, të gjithë jemi mbi 65 vjeç. Por në spektrin e bisedave që bëjmë, shpesh bëhemi edhe fëmijë. Fillojmë e kujtojmë fëmijërinë, rininë, ndonjë edhe periudhën e ushtrisë, e të gjithë, çuditërisht bashkohemi e bisedojmë për pleqërinë.
Mos harro se, të gjithë merremi me të gjitha problemet që ka qyteti. I trajtojmë me humor e të qeshura… ashtu siç di shkodrani. T’ju them të drejtën, mezi pres të vijë përsëri e shtuna. Të takohemi, të bisedojmë e të kujtojmë përsëri e përsëri…, aty nën hijen e ROZAFËS!