Një ditë para se Edi Rama të zhvillonte takimin e “Llogaridhënies publike” në Cërrik, Bukurie Brrakën, një banore e fshatit Shtërmen e përzgjodhën si një nga gratë që duhej t’i bënte pyetje kryeministrit. Por skenari nuk shkoi sipas parashikimit. Mjaftoi një shkarje e vogël, dy pyetje të tjera që e shqetësonin gruan por që nuk ishin pjesë e marrëveshjes, dhe Edi Ramës dhe i ka dalë boja paturpësisht me gjithë shfaqjen e tij të kinse “Llogaridhënies publike”.
Nga ajo që tregoi Bukurie Brraka për Faxnews, rezulton se ajo që shohim në ERTV është një farsë e montuar për propagandë nga Rilindja.
Bukurie Braka rrëfeu se ishte bërë pjesë e skenarit pas një oferte nga zyrtarët e PS-së së Cërrikut, me të cilët kishte rënë dakort që ta pyeste Edi Ramën për çështjet e legalizimit. Për të qenë të sigurtë se do të bindej, një natë më parë i kishin sjellë në shtëpi dokumentat e legalizimit të shtëpisë, të cilat ajo dhe familja e saj i prisnin prej vitesh.
Por Bukuria kishte edhe pyetje të tjera në kokë dhe nuk kishte më komplekse, tani që dokumentat e legalizimit i kishte në xhep. Kur u gjend me mikrofon në dorë para kryeministrit, bëri në fillim pyetjen për të cilën kishte dhënë fjalën dhe nuk rezistoi dot. E pyeti Ramën edhe për premtimin e Erion Veliajt se të moshuarit nuk do të lodheshin më me dokumentat për pensionet dhe ia tha copë se Check Up-i, është kot, se në qendra shëndetësore nuk kishte as aparat për të matur tensionin dhe se aty nuk parashikoheshin analiza të shtrenjta si pap testi apo mamografia.
I gjendur përballë kësaj “tradhtie”, Edi Rama heshti dhe i ndërpreu fjalën, siç dallohet në videon më poshtë.
Bukurie Braka: Te ai Check-up falas pse nuk janë përfshirë edhe disa analiza që janë të shtrenjta, sidomos për ne që jemi në nevojë, që jemi pa tokë, pa asistencë, pa gjë, si pap testi apo mamografia. Po ai Check-up bëhet sa për të kalu radhën. Ata nuk kishin as aparat tensioni për ta mat.
Edi Rama i ndërpret fjalën i acaruar: “Jo jo, check up nuk është fare për të kalu radhën”. Gruaja këmbëngul “Po e kam bërë dy herë, ato nuk kishin aparat për të mat tensionin”. Rama ndërhyn edhe njëherë: S’është fare për të kalu radhën”. Gruaja: “Po ashtu është!”, Rama dorëzohet dhe i heq fjalën: Po mirë, jepja pak zonjës atë mikrofonin…!
Fjala iu ndërpre duke ia lenë vendin batutave, por gazetarët e FaxNews shkuan në banesën e gruas në Cërrik, për të sjellë rrëfimin që nxjerr bllof kryeministrin. Ajo tregoi se se pas takimit, e pati telefonuar kryetari i PS-së së qytetit, i cili i kërkoi llogari pse e pyeti kryeministrin për Check-up-in dhe jo për legalizimet.
“Takimi me Kryeministrin ishte me skenar. Më thanë ta pyesja Kryeministrin për legalizimet. Një ditë para më legalizuan shtëpinë. E pyeta për Check-upin, më morën në telefon pas takimit. Kryetari i PS-së më pyeti pse e bëra atë pyetje… Më lanë në këmbë. Ma prenë fjalën se dola nga skenari” tregoi e pakënaqur gruaja, që u nis në takim t’i kërkojë llogari Edi Ramës, por në fund e pa veten përballë kërkesës për të dhënë vetë llogari. /Lapsi.al/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: