Në Mal të Zi kësaj të dile u mbajten zgjedhjet parlamentare si dhe zgjedhjet lokale në 5 komuna. Dalja në këto zgjedhje ishta masive ku në votime morën pjesë 409 880 qytetarë apo 75,9 %.
Ashtu edhe siç ishte parashikuar rezultati i këtyre zgjedhjeve rezultoi të jetë i ngushtë dhe për herë të parë DPS-i me partnerët e vet nuk mund të ketë shumicën parlamentare.
Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara nga cemi, rezulton se partitë opozitare do të kenë 42 deputetë nga 81 sa ka parlamenti i Malit të Zi.
Në këtë situatë, në numrin e deputetëve të opozitës janë edhe 4 deputetët e Lëvizjes URA në krye të së cilës është Dritan Abazoviçi, një shqiptar ulqinak, të cilët do të jenë vendimtar për formimin e qeverisë së re. Në tubimin përmbyllës të tij në Ulqin Abazoviçi ka folur edhe për atë se çka do të bëjë nëse partia e tij do të jetë vendimtare në formimin e qeverisë se re.
Abazoviç theksoi se ata duan të ndryshojnë qeverinë në mënyrë paqësore dhe të fillojnë një pikë demokratike të zhvillimit.
“Unë ju zgjas duart të gjithëve, partitë e pakicave që kanë ekspertë të na i japin, partitë e tjera të opozitës të na japin ekspertet, le t’i japin ekspertët e tyre çdokush që dëshiron ndryshime. Koha e skllevërve ka mbaruar, ne meritojmë kohën e Evropës, kozmopolitizmit, lirisë, drejtësisë, të vërtetës, dinjitetin. Le të fluturojnë flamingot nga Kriporja dhe të sjellin mesazhin e paqes dhe ndryshimit “, kështu deklaroi Abazoviç në fjalën e tij në tubimin në Ulqin.
Ditët në vazhdim do të na japin përgjigje se si do të formohet qeveria e re në Mal të Zi.