Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë ndryshime të mëdha në lidhje me sezonin e ri. Në mbledhjen e fundit këshilli drejtues i FSHB-së ka vendosur që në edicionin 2023-2024, Superliga dhe Kategoria e Parë e meshkujve do të bashkohen, ndërsa gjithashtu ka vendosur më në fund edhe kufizim për numrin e lojtarëve të huaj, të cilët nuk mund të aktivizohen më shumë se tre njëkohësisht gjatë një ndeshjeje.
Vendime të KD-së që shpëtojnë Vllazninë, e cila në parket mbylli një kampionat katastrofik duke prekur fundin, për të rënë nga Superliga. Gjithashtu gëzon edhe Partizani, ekipi legjendar i basketbollit shqiptar, që nuk mundi të ngjitej sportivisht në elitë. Në lidhje me këto vendime, por edhe për risi të tjera në basketbollin shqiptar, gazeta “Panorama Sport” ka intervistuar sekretarin e përgjithshëm të FSHB-së, Korab Llazanin, i cili tregon me detaje se si do të jetë sporti i koshit në sezonin e ardhshëm.
Llazani, FSHB vjen me disa vendime të rëndësishme për sezonin e ri. Mund të na thoni diçka më tepër?
Kryesia drejtuese e federatës ka vendosur për t’u bërë një “refresh” të gjithë Superligës dhe ekipeve, të cilat duan të marrin pjesë në Kategorinë e Parë. Në përputhje me statutin, neni 6, detyrat dhe aktivitetet, është vendosur që në sezonin e ri të gjitha skuadrat të jenë në një kampionat te të rriturit, pra duke i bërë një riformatim. Kjo do të jetë vetëm për edicionin 2023-2024, nga ku do të zgjidhen 6 ekipet e para, për edicionin pasardhës në Superligë.
Si do të jetë formula e re kampionatit?
Sigurisht që do të ketë një ndryshim në formulën e kampionatit. Do të jetë një kampionat me të gjitha skuadrat që do të regjistrohen, pra që do të plotësojnë kushtet dhe kriteret e pjesëmarrjes. Sezoni i rregullt do të zhvillohet me dy faza, me sistem vajtjeardhje, për të garantuar renditjen. Ndërsa faza kryesore, “play off”-i, do të jetë në një formë të ndryshme nga sa është bërë deri më tani. Do të ketë një tur paraeliminator nga vendi i tretë deri tek i gjashti, pra dy ekipet që do të renditen në vendet e para do të presin që skuadrat, të cilat do të dalin nga përballjet mes vendit të tretë dhe të gjashtë si dhe vendit të katërt dhe të pestë. Më tej gjysmëfinalet do të jenë me 5 ndeshje, pra me 3 fitore. Ndërsa finalet do të jenë me 7 ndeshje dhe 4 fitore. Pra, do të kemi këto risi, ku do të përfshihen të gjitha skuadrat, do të rritet numri i ndeshjeve në kampionat.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me kufizimin e lojtarëve të huaj…
Po, është vendosur një limit për numrin e lojtarëve të huaj në fushë, ku çdo ekip nuk mund të aktivizojë më shumë se 3 të tillë në lojë. Sigurisht, në stol mund të mbajnë sa të duan, por në lojë nuk mund të aktivizojnë njëkohësisht më shumë se tre. Pra, detyrimisht çdo ekip do të ketë 2 shqiptarë në lojë, sigurisht që skuadrat mund të aktivizojnë edhe 5, por minimalisht numrin dy për lojtarët vendorë e kanë të detyruar.
Deri kur kanë afat skuadrat për të bërë regjistrimin në kampionat?
Ne deri më datë 10 korrik do t’u dërgojmë njoftimet klubeve, për ndryshime në rregullore dhe çdo informacion tjetër. Më pas do të kenë të gjithë kohën e mjaftueshme për të bërë merkaton, për t’u përgatitur dhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në kampionat. Mendohet që do të kemi një kampionat me 14 ekipe, por le të shikojmë. Për sa i përket regjistrimit, ekipet do të kenë kohë më pas deri në javën e parë të shtatorit për të dorëzuar dokumentacionin e pjesëmarrjes. Pra, kanë rreth 2 muaj kohë në dispozicion, që është më se e mjaftueshme. Kur do të nisë sezoni i ri? Edicioni i ri do të nisë në javën e parë të tetorit. Në 10- ditëshin e fundit të shtatorit do të mbajmë si zakonisht Kupën e Federatës për femra dhe meshkuj, që është një aktivitet përgatitor për skuadrat në prag të kampionatit.
Çfarë do të ndodhë me Ligën Unike. A do të zhvillohet normalisht edhe te meshkujt?
Ne së shpejti do të kemi një mbledhje paraprake edhe për Ligën Unike dhe do të dalim me njoftim edhe për këtë kompeticion. Absolutisht për ne Liga Unike është prioritet, pasi është një aktivitet shumë i rëndësishëm për të gjithë basketbollin tonë kombëtar. Ne edhe me lëvizjet e bëra së fundmi, duam të njësojmë rregullat teknike të pjesëmarrjes së lojtarëve të huaj në garë. Tani shpresojmë që të futemi në rrjedhë ashtu siç duhet.
Ndërkohë, edhe këtë verë do të kemi një pjesëmarrje të gjerë me ekipet kombëtare në kompeticionet europiane…
Kombëtarja e të rriturve do të grumbullohet më datën 10 korrik për ndeshjet kualifikuese. Ndërsa ashtu sikurse ka ndodhur prej vitesh, përsëri përfaqësohemi gjerësisht edhe me moshat, me pesë përfaqësuese për djem dhe vajza që së bashku me ekipin e të rriturve bëhen gjashtë. Ekipet kanë filluar seleksionimet dhe po përgatiten për evenimentet përkatëse, ku do të përfaqësojnë Shqipërinë.