Për ta kuptuar temën në fjalë, lypset pak kthim mbrapa në të kaluarën në kohën si rrjedhojë qe shkaku e pasoja e konvertimit të shqiptarëve nga një besim në tjetrin.
Konvertimi i parë i Arbërorëve ndodhi me skizmën e madhe të Kishës Katolike në shek. XI dhe ndarja në Lindje e Perëndim. Për shkak të pasojave që pati kjo përçarje, për Arbërinë studiuesi, francez, Zhan Klod Faveirial në vitin 1884, do shprehej “Skizma greke ishte një intrigë e poshtër për ta shkëputur Ilirinë nga Roma dhe për t’ia bashkangjitur Bizantit.” (Libri: (Historia (më e vjetër) e Shqipërisë)
Pushteti osman shumë shekullor, për ta mbajtur të mbërthyer popullin e pushtuar Arbëror, imponoi më forma të ndryshme besimin e ri atë të islamit si një ndarje të re fetare në mes Arbërorëve, gjë që pushtimi e islamizimi ishin në kundërshtim të plotë më vendimet e princave arbërorë, të mbledhur në Lezhë më 2 mars 1444.
Islamizimi i popullatës që erdhi si pasojë e likuidimeve fizike, varfërisë, politikës si përfimit, ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe, me ligji, në vitin 1779 etj, do të shprehej edhe në tjetërsimin e dokeve dhe zakoneve, rregullimin shoqëror, veshje, ndryshimin e arkitekturës, emrave, riteve fetare, dhe kthimin nga kultura perëndimore në islamike lindore, do shpreheshin studiuesit, Stadmyler, Bartel, Cordiano, Edwin Jacques, Drançollie tjerë.
Pushtimi Osman e kalimi i shqiptarëve në besimin sulltanor, la pasoja të rënda për të ardhmen e popullit si identitet arbërore dhe si tërësi territoriale. Sipas, studiuesve të huaj dhe të vendit, në Konferencat ndërkombëtare, si pasojë e pushtimit osman, shqiptarët nuk pranoheshin si komb, por sipas prezantimit të bërë nga Perandoria Osmane, ku shqiptarët e islamizuar me 70 %, i identifikonin si Turq, ata ortodoks si Grekë dhe katolikët si Latin.
Nën ndikimin e sulltanit paranojat, Abdyl Hamiti II (1876-1909), kjo ide duke e kamufluar me ngjyra fetare, mjerisht u zyrtarizua në Kongresin e Berlinit, të viti 1878, ku gjashtë Fuqitë e Mëdha, nënshkruan mes tyre traktatin për krijimin e shteteve të reja ballkanike e duke e lënë Shqipërinë vasale të Turqisë, më tre tri besimet e saja, të cilat si elementë të së njëjtës etni, kërkonin me ngulm që Shqipëria të jetë e pavarur e të mos cenoheshin trojet stërgjyshore, çfarë dhe u manifestua në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878 – 79.
Kjo lënie jashtë të Shqipërisë, ishte për faktin se të gjitha kombet ballkanike që lindën në Kongresië e Berlinit, gëzonin një homogjenitet të dallueshëm fetar ortodoks, si: Greqia, Bullgaria, Rumunia, Serbia dhe Mali i Zi, kurse Shqipëria, për shkak të shtigjeve të errëta nga historia, kishte në përbërje tre besime, të cilat edhe përkundrejt ndarjes se tyre të dhembshme fetare, qenë flamurtar, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor të vitin 1912 në Vlorë.
Parë në këndvështrimin e situatës tepër të vështirë të institucioneve katolike në trojet shqiptare, si pasojë e rrënimet të gjatë nga pushtimi osman, protektorati i kultit, dhënë nga Papati i Romës, perandorisë Austro-Hungareze që në shek. e XVIII dhe përforcuar me Konkordatin e nënshkruar mes Romës dhe Vjenës, në vitin 1855, ishte një shans i mirë për rimëkëmbjen dhe mbrojtjen e popullatës katolike nga osmanët dhe nxitje e investimeve në fushën fetare, kulturore, ekonomike dhe politike, në gjitha trojet shqiptare të konfirmuara në Kuvendin e Arbërit të vitit 1703, nga Tivari e deri në Shkup.
LUFTA BALLKANIKE DHE KONVERTIMI NË ORTODOKSI
Përplasjet e luftës Ballkanike, në 1912-1913, e katër shteteve (Greqia, Serbia, Bullgaria e Mali i Zi), kundër Turqisë; sulltan Mehmetit V (1909-1918), në tetor të vitit 1912, sipas burimeve serbe, nxit Fuqitë e Mëdha të Londrës, për dërgimin e një demarshi, me dt. 8 tetor 1912, ku thuhej, që të mos ndërmerret asnjë vetë-iniciativë për luftime të reja, “sepse në përfundim të tyre, nuk do pranohej nga Fuqitë e Mëdha asnjë lloj ndryshimi kufijsh e Status quos, (gjendjes pezull) në Ballkan. Lidhja e porsaformuar Ballkanike, e përkrahur në heshtje nga Rusia cariste, përkundrazi, për ta vendosur Konferencën e cila vazhdonte punimet në Londër para faktit të kryer, më 13 tetor 1912, shpallë luftë në këtë pjesë të Evropës turke, ku me këtë rast Serbia kishte si synim pushtimin e copëtimin e tokave shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Ndërsa Mali i Zi, i krijuar si subjekt juridik ndërkombëtar, për interesat e Serbisë dhe Rusisë, me pretekstin e shpëtimit të të krishterëve ortodoks, ishte nisur drejt aneksimit të Shkodrës dhe kufirit deri në lumin Mat, e në veri lindje shtrirjen deri në Pejë e Gjakovë, ide kjo, sipas Branko Babiq, e projektuar në kokën e krajl Nikollës dhe prezantuar para qeverise mike italiane që në vitin 1896. Me këtë rast Austro – Hungaria, bazuar në të drejtën e protokultit fetar, punonte fort për një Shqipëri autonome ose të pavarur me kufij, sa më të gjerë, në mënyrë që të pengohej sa më shumë zgjerimi i shteteve ortodokse sllave drejt Ballkanit perëndimor.
Mali i Zi, pas vendosjes të sistemit ushtarako – policor e administrimiv në shtator 1912, filloi në trevat e pushtuara, fushatën e mbledhjes së armëve në: Beranë, Rozhajë, Sanxhak, Plavë e Guci, Rugovë, Pejë, Gjakovë etj. Gjatë këtyre aksioneve, pati mbyllje të shkollave shqipe, pati bastisje e djeg’je e plaçkitje të shtëpive, të kërcënuar, të vrarë, të torturuar, të shpërngulur edhe në Turqi. Në këtë aksion gjithëpërfshirës, me direktivat e qeverisë malazeze, Manastirit të Pejës dhe Mitropolisë së Cetinës, lindi fenomeni i habitëshim i kohës së mesjetës, konvertimi me dhunë në fenë ortodokse serbo-malazeze, i katolikëve e myslimanëve shqiptar, e myslimanëve të sllavizuar, çfarë ishte në kundërshtim të hapur me paragrafin 27 e 35, të Marrëveshjes së Kongresit të Berlinit.
Edhe pse mbretëria e Malit të Zi, e kishte të nënshkruar një Konkordat që në vitit 1886, më Papatin, ku në pjesën e hyrjes, garantohet e drejta e plotë e besimit katolik, dhe Serbia pritej ta nënshkruaj Konkordatin me Papatin i cili u realizua me 24 Qershor1914, konvertimi i katolikëve në terren nuk kishte të ndalur.
Sipas studiuesit Zekeria Cana dhe disa të huajve, presioni i organeve malazeze, në mbarim të vitit 1912 e deri në fund të majit të viti 1913. mbi katolikët, ndodhte edhe për shkak të orekseve malazeze për ta mbajtur të pushtuar Shkodrën.
Kisha ortodokse serbe e malazeze, e mbështjellë me një nacionalizëm të tepruar, bëri që nga frika dhe dhuna e ushtruar, të pagëzoheshin shqiptarët duke marrë emra të rinj sllav dhe në krye u vinin “kapicën” si shenjë e dukshme të nacionalitet malazez. Mësuesi dëshmitari Zef Mark Harapi, duke marrë rastin në Pejë dhe Rugovë, shprehet, se të gjithë ata që kundërshtonin pranimin e besimit ortodoks dhe sllavizimin u likuiduan para syve të popullit të grumbulluar në sheshe të caktuar për publikimin e ngjarjeve.
Se çfarë pësoi popullsia shqiptare e Rugovës nga ushtria malazeze, ilustrohet më së miri, nga biseda që londinezja, Edith Durham, në vitin 1913, kishte zhvilluar në Cetinë më gjeneralin Janko Vukotiq, i cili shprehej: se ne i mposhtëm dhe i vramë të gjithë burrat e Rugovës.
Në Pejë dhe Rugovë, u konvertuan në ortodoks 10 200 persona shqiptar, ndër të cilët edhe një Hoxhë e një prift. Konvertime pati edhe në Plavë e Guci, ku sipas Mustafa Memiq, kishin kaluar në fenë ortodokse 108 persona nga të cilët 95 shqiptar të besimit mysliman 14 katolik, ndërsa 240 të vrarë e 795 të ikur në Shqipëri nga dhuna e ushtruar. Sipas shtypit Austriak, në Ulqin ishin pagëzuar 300 katolik, pastaj kemi në Rozhajë, Beranë, Pljevlja, Tuz etj..
Sipas Branko Babiq dhe shtypit ndërkombëtar, ngjarja që shkaktoi indinjatë të thellë dhe habi në qarqet diplomatike londineze ishte vrasja nga qeveria malazeze, me bajonetë të klerikut katolik, Atë Luigj Paliq, i cili së bashku me 55 katolikë të tjerë u pushkatuan më 7 mars 1913, në Janoshë të Gjakovës, sepse nuk pranuan të kalonin në besimin ortodoks. Sipas studiuesit Babiq, pas këtij rasti në Gjakovë kaluan në ortodoksi edhe 1.200 katolikë e shumë pati të shpërngulur.
Në vazhdim, shtypi Austriak tregon rastin se, në Kosovë pas largimit të Turkut dhe ardhjes së pushtuesit të ri serbo-malazez, disa qindra “Laramanë”, detyroheshin në kishën ortodokse, të pagëzoheshin, ata kërkonin që të riktheheshin në kishën katolike, por pushteti serbo-malazez, duke mos lejuar të bëhet kjo gjë u thoshin “ose Mysliman ose Ortodoks, por jo Katolik”. Se kthimi i shqiptarëve në ortodoks vërtetë kishte marrë në pjesët e pushtuara përmasa të gjera, tregon Ministri i Punëve të Brendshme në Cetinë, Jovan Pllamenac, në telegramin, nr. 1658, dt. 21. III. 1913, ku shprehet së deri në fund të marsit, “ ishin pagëzuar rreth 5.000 shqiptar”.
Kundër kësaj vepre të shëmtuar dhe fenomenit konvertimit në ortodoks të kryer nga qeveria malazeze e serbe, kishte reaguar ashpër Kryeipeshkvi i Shkupit, Lazër Mjeda, i cili administronte katolikët nga Ohri, Shkupi e deri në Novi Pazar. Kurse, Qeveria Austro-Hungareze si shpëtimtare e shqiptarëve, së bashku me qeverinë e Francës, nxiten Konferencën e Londrës, ku ajo më 22 mars 1913 solli vendimin mbi Konceptin e mbrojtjes edhe të të drejtave të katolikëve në Mal të Zi. Po kështu u theksua edhe në përmbylljen e Konferencës së Londrës me 29 korrik 1913.
Në shenjë nderimi për të gjithë ata, që në këto ngjarje dhanë jetën për fe e atdhe, Vatikani me 20 qershor 2024, shpalli klerikun, Atë Liugj Paliq martir të Kishes Katolike.
Konvertimi në ortodoksi që për kohën do thoshte, ndërrim i nacionalitetit të shqiptarëve, në serb apo malazez, kishte shkaktuar një hendek të madh fetar, shoqëror, politik e nacional, pasojë e së cilës, populli shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi i vuajnë edhe sot e kësaj dite. Andaj, fenomeni i konvertimit me dhunë të fesë apo nacionalitetit, qoftë nga Turqia apo Mali i Zi e Serbia, nuk duhet të përsëriten me as kurrë. /Referat nga Dom Nikë UKGJINI, mbajtur në Konferencë, Shkencore Ndërkombëtare “TRANSFORMIME DHE NDIKIME: SHQIPËRIA VERIORE (1878-1918) DHE IMPAKTI I FUQIVE EVROPIANE”, Shkodër, 18 tetor 2024/