Ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës nisi në nëntor 1971 dhe vazhdoi për 7 vite me radhë. Vepra është ngritur me financim dhe pajisje të marra nga Kina, e cila në këmbim ka marrë kryesisht mineral kromi.
Diga e Fierzës e ndërtuar me gurë, zhavorr dhe bërthamë dheu është 167 m e lartë. Në të janë hedhur 8 milionë metër kub materiale. Ajo ka krijuar një rezervuar me volum 2.7 miliardë metër kub ujë, sipërfaqe 72.6 km2 dhe thellësi maksimale 128 m.
Për ndërtimin e kësaj vepre kanë punuar rreth 14,000 punëtorë, inxhinierë dhe specialistë. Në Fierzë gjatë punimeve humbën jetën 54 punëtorë. Ndër emrat e njohur të projektuesve dhe inxhinierëve të kësaj vepre janë: Petrit Radovicka, Pandi Çezmaxhiu, Nesti Lubonja, Rrahman Hanku, Emin Mysliu, Spiro Papa, Skender Kosturi, Egon Gjadri, Farudin Hoxha, etj.
LEXONI EDHE: Hidrocentrali Vau Dejës, i pari i madh i gjigandëve në kaskadën e Drinit që hapi rrugën për Fierzën e Komanin
Për ndërtimin e digës u blenë në Angli 40 makina të mëdha 60 tonëshe Centaur. Turbinat janë blerë në Francë, kurse transformatorët në Jugosllavi. Nuk ka të dhëna se sa ka kushtuar ndërtimi i këtij hidrocentrali. Sipas ekspertëve të kohës vepra të gjithë koston e ndërtimit e ka shlyer pas tre vitesh punë.
LEXONI EDHE: Hidocentrali i Komanit me kapacitetin më të madh të prodhimit, 12 mijë punëtorë kontribuan për ndërtimin e tij
Vepra nisi të prodhojë energji në tetor 1978, me vënien në punë të turbinës së parë. Më 28 nëntor 1978 u vu në punë edhe turbina e dytë. Në kapacitet të plotë, me katër turbina e nisi prodhimin më 1980, duke dyfishuar menjëherë prodhimin e energjisë në vend. Fierza ka një fuqi të instaluar 500 megavat (4 turbina x 125 megavat) dhe në kushte optimale prodhon 1.8 miliardë kilovat/orë energji në vit.