Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra i ka dërguar një mesazh urimi Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (Myftinisë së Shkodrës) me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në mesazhin e dërguar thuhet se në emër të besimtarëve katolikë të Arqipeshkvisë së Shkodrës ju uroj çdo të mirë për festën e “ID AL-ADHA”, domethënë Kurban Bajramit.
Mesazhi i plotë:
Vëllezër dhe motra Myslimane, Myftinia-Shkodër
Në emër të besimtarëve katolikë të Arqipeshkvisë së Shkodrës Ju uroj çdo të mirë për festën e “ID AL-ADHA”, domethënë Kurban-Bajramit.
Festa e sotme kujton provën e fesë që pati Abrahami, i cili për të dëshmuar fenë në Hyjin ishte i gatshëm për të flijuar djalin e tij. Por Hyji e shpërbleu duke zëvendësuar djalin me një qengj.
Kurbani i vërtetë, si flijimi i Abrahamit është zbatimi i vullnesës së Zotit, është respekti i të drejtave njerëzore dhe lirisë së fesë, është besimi ndaj tjetrit si dhe solidariteti ndaj më nevojtarit, si na ka dëshmuar Abrahami, Ati ynë i përbashkët në fe.
Duke ju lutur Zotin për juve, ju uroj PËR SHUMË VJET KURBAN BAJRAMIN.
Nga K.I.SH. Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë