Një incident është shënuar këtë të marte në qytetin e Shkodrës. Kështu, një banesë 3 katëshe është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Liria” të qytetit të Shkodres, duke vëndosur në rrezik edhe shtëpitë ngjitur me të. Sipas burimeve, dyshohet se shkak ishte një shkëndijë elektrike, megjithatë do të jenë hetimet e grupit të ekspertizës që do thonë fjalën e tyre të fundit. Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës me 3 mjete ka bërë të mundur që flakët të shuheshin pa u përhapur më tej. Por, duhet theksuar se demet materiale kanë qenë të konsiderueshme.
Banesa është në pronësi të shtetasit A. Gjoni dhe në momentin e rënies së zjarrit ndodheshin edhe 5 fëmijët me bashkëshorten, që u nxorën me urgjencë jashtë. Por, bashkëshortja ka përfunduar në spital si pasojë e shokut të përjetuar. Për afro 1 orë qëndroi shërbimi zjarrfikës në zonë, duke u siguruar deri në shuarjen e plotë të flakëve, pasi vetë pozicioni i shtëpive ngjitur me njëra – tjetrën përbënte rrezik me vete.
Jashtë kamerave, drejtues të shërbimit zjarrfikës pranojnë se ka qënë e vështirë kjo ndërhyrje për vetë pozicionin e banesës larg rrugës dhe kalimit në një rrugicë tejet të ngushtë, ku mjetet e kanë patur të pamundur të afrohen. Rastet e zjarrit kryesisht nga shkëndija elektrike, por edhe pakujdesi të tjera janë të shpeshta në Qarkun e Shkodrës. /Rozafa TV/