Sot isha në shtëpinë e Nikolin Gjojçaj në fshatin Hot i Ri, të cilit me 16 janar të këtij viti i është djegur komplet shtëpia si pasojë e një shkëndije elektrike!
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar vendimin nr.27 datë 04.04.2023 për akordimin e fondit për dëshpërblimin pas djegies së shtëpisë, ndërsa deri më tani ka marrë vetëm fondin e emergjencave prej 20.000 lekë të reja që jepet nga Bashkia Shkodër por akoma është në pritje të fondit që akordohet nga qeveria për të mbuluar 50% të dëmit.
Pas vlerësimit teknik të dëmit të shkaktuar nga zjarri, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar dokumentacionin tekniko ligjor për dëmin ku përcaktohet se për rikontruksionin e shtëpisë kërkohet një fond prej 304 195 lekë të reja, ndërsa për orendi shtëpiake një fond prej 327 800 lekë të reja të cilat janë fonde që akordohen nga qeveria për emergjencat civile.
4 anëtarë të kësaj familje prej muajit Janar nuk bashkohen në shtëpinë e tyre pasi bashkëshortja me të birin dhe nënën e kryefamiljarit janë strehuar pranë familjarëve të tyre, ndërsa vetë z.Nikolin Gojçaj (kryefamiljari) strehohet në një magazinë të vogël në oborrin e shtëpisë.
Z. Gojçaj ka filluar punën për të rindërtuar shtëpinë e Tij duke përdorur të gjitha kursimet familjare të mbledhura përgjatë jetës së tyre. Tashmë puna në shtëpinë e rindërtuar ka ngecur pasi lekët e kursimeve kanë mbaruar ndërkohë që shtëpisë së re i mungojnë dyert, dritaret, pllakat, hidrosanitaret, për të mos shkuar tek orenditë shtëpiake të cilat duhen blerë të gjitha nga fillimi pasi zjarri ka shkrumbuar gjithçka.
Të ardhurat e kësaj familje janë të pakta, gjë që e bën të pamundur vijimin e mëtejshëm të punës për banesën e re. Z. Nikolin shpreson që të marrë sa më parë fondin e dëmshpërblimit nga ana e qeverisë në mënyrë që të shpejtojë me punimet dhe dimri mos t’i gjejë më të ndarë si familje.
Bashkia Shkodër duhet menjëherë të angazhohet dhe t’i kërkojë institucioneve shtetërore akordimin e fondeve të dëmshpërblimit për të gjitha familjet që kanë humbur banesat e tyre nga zjarri. Meqë tashmë edhe Bashkia Shkodër i përket mazhorancës qeverisëse, ky problem duhet të shihet si prioritar dhe të marrin fund pritjet disa mujore të familjarëve që kanë mbetur pa strehë dhe të braktisur nga shteti. Dhënia e këtyre fondeve është një e drejtë ligjore e cila nuk ka pse të mbetet peng i zvarritjeve institucionale. /Nga Eliona KODRA SHKRELI, këshilltare bashkiake në Shkodër, publikuar në Facebook/