Sot Kosova themelon Ushtrinë e saj të parë zyrtare të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, një proces që ka shkaktuar alarm në Serbi dhe Presidenti Aleksandar Vuçiç ka bërë edhe thirrjen e fundit ndaj ndërkombëtarëve që ta pengojnë këtë proces.
“Kosova është një problem shumë i madh për ne, veçanërisht për shkak të lëvizjes të fundit, për formimin e një ushtrie, e cila nuk është e bazuar as në ligj as në Rezolutën 1244.
Obligimi i KFOR-it është të shpërbëjë ushtrinë”, tha Vuçiç të enjten duke përcjellë një mesazh për vendet e tjera: “Mos e poshtëroni Serbinë dhe popullin serb, sepse as populli serb, as Serbia nuk do t’ju lejojnë”. Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka paralajmëruar se Serbia do të përdorë Ushtrinë në rast se Kosova themelon Forcat e saj të Armatosura, por ky kërcënim është komentuar si flluskë në ujë nga mediat e huaja.
Sipas AP, ekzistojnë shumë pak gjasa për një gjë të tillë, pasi kjo do të nënkuptonte konfrontim të drejtpërdrejt me 4,600 paqeruajtës të NATO-s që shërbejnë në Kosovë, përfshirë trupat amerikane të stacionuara në Kosovë që nga viti 1999. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës dhe çdo sulm i Serbisë do të nxiste hakmarrje të ashpër. Ky veprim do të shkaktonte sanksione të menjëhershme dhe izolim për Serbinë nga Perëndimi.
Të gjitha partitë shqiptare të pozitës dhe opozitës pritet t’i votojnë tri amendamentet për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ushtria e Kosovës pritet të ketë buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh, 5 mijë ushtarë si dhe 3 mijë rezervistë. Ndërkohë është raportuar prania e mundshme e mercenarëve serbë në veri të Kosovës dhe drejtuesit e KFOR-it kanë mbërritur në Veri me blindat e tyre gjatë mbrëmjes së të enjtes.
Grupe të ndryshme radikale serbe kanë planifikuar trazira pas themelimit të Ushtrisë së Kosovës në Kuvend. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, tha se kolona e madhe e automjeteve të KFOR-it hyri në veri të Kosovës dhe ka frikësuar popullatën serbe atje. Por KFOR-i e ka justifikuar lëvizjen me zhvillimin e një stërvitjeje në Veri të Kosovës.