Dhimitër Anagnosti mund të jetë 85 vjeç, por zëri i tij mbetet i njëjtë dhe po aq i fortë sa për të dhuruar emocione. Ai është vlerësuar sot nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, teksa së bashku me bashkëshorten, artisten e madhe të skenës shqiptare Roza Anagnosti kanë ndarë një mesazh. Regjisori e quajti një ditë të veçantë duke falënderuar njerëzit me të cilët ka punuar në vite dhe presidentin Meta.
Në motivacion e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.
“Sot është një ditë e veçantë për mua. Falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falenderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë”, tha regjisori Dhimitër Anagnosti.
Ndërsa bashkëshortja e tij, u ndal më gjatë për të lexuar mesazhin e tij, me shumë emocione dhe shikime dashurie ndaj kineastit 85-vjeçar, për të cilin tha se i duket ende si 20.
“Ky shkruan unë po ia lexoj dhe shpesh ia interpretoj. Dikur, diku kam shkruar në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shohë më shumë brenda vetes se jashtë saj. Jam me fat që kam pasur në krah një bashkëshort të tillë. Bashkë kemi mbështetur njëri-tjetrin”, tha ndër të tjera aktorja.