Një mbrëmje e magjishme e organizuar nga një Agjensi Kulturore-Artistike, e cila 21 vite më parë u pagëzua me një simbol shkodran “Buna 1” me themeluesin e saj z.Arben Mazi, erdhi në Teatrin “Migjeni” në edicionin e tetë me spektaklin “Best 10 North” për të sjellë aty dhe për të vlerësuar aty figura të shquara të qytetit tonë në të gjitha fushat e krijimtarisë dhe veprimtarisë dhe për të treguar se Shkodra çdo vit ka çfarë të promovojë dhe ka me kë të krenohet.
Ashtu siç rrjedhë ngadalë Buna jonë, Barbana e vjetër, ashtu siç kanë lundruar me mijëra vjet barka, lundra, sule e anije në ujërat e këtij lumi me mijëra vjet “kanë lundruar” bashkë me to edhe njerëzit më të shquar që Shkodra i ka përkundur në djepin e saj.
Ndoshta janë pak, e sigurisht që janë pak të përzgjedhësh në këto figura të shquara që Shkodra i ka lindur, i ka përkundur dhe i ka bekuar për rrugën e tyre në fusha të ndryshme të jetës, por “Buna 1” nga viti në vit kujtohet që ato, jo vetëm të mos humbin, por të evidentohen dhe kur nuk janë më mes nesh të kujtohen.
Fotot e këtij albumi që unë sonte po postoj, janë sa mijëra e mijëra fjalë, të cilat unë ndoshta kurrë nuk arrij t’i them për secilin, por natyrisht më takon t’i them dy fjalë për atë nder dhe respekt që u bë për mua të ngjitesha në skenë dhe t’i dorëzoja një çmim të përzgjedhurve të kësaj nate, por për mua ishte një nder dhe respekt i veçantë që t’i dorëzoja një çmim vlerësimi asaj zonje të mrekullueshme, asaj zonje të këngës shkodrane, asaj lule që nuk din të vyshket kurrë, “Mjeshtrja e Madhe” Vjoleta Zefi.
Unë isha shumë i emocionuar dhe isha aq shumë i emocionuar, të ma besoni, sa për një çast më dukej sikur ajo po më nderonte mua dhe jo unë atë.
Dhe në të vërtetë ashtu e ndjeva veten, të nderuar nga organizatorët e spektaklit, por edhe nga fjalët e ngrohta të kësaj “Mjeshtre të Madhe”, prandaj dhe i uroj nga zemra jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi familjare, si dhe freski në zërin e saj, për të përjetësuar dhe trashëguar brez pas brezi këngën e bukur shkodrane. /Nga Ramazan ÇEKA/