Personalitete të shquara të shkencës, akademikë, përfaqësues të universiteteve të vendit, kolegë, politikanë, përfaqësues të medias e studentë kanë qenë pjesëmarrës në homazhet e mbajtura sot më 26 mars nga ora 13.00- 14.00 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademikut të asociuar, fizikanit Artan Boriçi
Homazhet u mbajtën në praninë e familjarëve të tij në mjediset e ASH, pranë Librit Akademik. Të ardhur grupe- grupe për shkak të kufizimeve të pandemisë, me kurora e tufa lulesh në duar, e me lot në sy, të pranishmit kanë ngushëlluar familjarët edhe akademikët, duke shprehur dhimbjen për humbjen e madhe, por edhe vlerësimin e nderimin më të thellë për shkencëtarin e talentuar që la gjurmë në shkencën shqiptare e atë europiane.
Pas këtyre homazheve të mbajtura nga Akademia e Shkencave, trupi i shkencëtarit të ndjerë Artan Boriçi nesër në orën 11.00 do të niset drejt Shkodrës, për t’u prehur në vendlindje.
Akad.asoc Artan Boriçi u nda jeta mbrëmjen e 25 marsit, në prag të 56-vjetorit të lindjes së tij (19 prill 1965) pas një beteje të javëve të fundit me Covid-19.
Në homazhet e mbajtura në nderim të akad. Asoc. Artan Boriçit, kryetari i Akademisë së Shkencave akad Skënder Gjinushi mbajti fjalën e lamtumirës në emër të kryesisë dhe kolegëve të këtij institucioni, ku e quan largimin e parakohshëm nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit një humbje e pazëvendësueshme për familjen, humbje shumë të rëndë për akademikët dhe humbje po aq e rëndë për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe në një kuadër europian.