Mund të konsiderohet si një nga meteorët e kinematrografisë shqiptare, i cili mbase në momentin më të mirë për karrierën e tij, u largua nga Shqipëria duke lënë pas disa role të spikatura. Ai është aktori shkodran Jul Nenshati.
Ai ka lindur në 16 shtator të vitit 1961 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) fillon punën si aktor në Teatrin “Migjeni” të qyteti të Shkodrës. Roli i tij i parë në kinematografi do të jetë ai i njërit nga “5 Heronjtë e Vigut” në filmin “Çeta e vogël” në vitin 1979 (kur ishte vetëm 18 vjeç) për tu pasuar me rolin e Canit në filmin “Fundi i një gjakmarrje” në vitin 1982.
Kryesisht interpreton role të dyta. Interpretimi i tij në një rol kryesor do të jetë në filmat “Kur ndahesh nga shokët” në vititn 1986 ku interpreton rolin e Namikut dhe filmin “Arjana” në vitin 1989 ku interpreton rolin e Fatmirit.
Më tej do të interpretojë edhe në filma të tjerë. Mund të përmendim këtu rolin e Nikut në filmin “Bregu i ashpër” në vitin 1988, një rol episodik në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989, rolin e të Fejuarit të Erës në filmin televiziv “Unë e dua Erën” në vitin 1990.
Prej shumë vitesh, Juli jeton në Shtetet e Bashkuara, ku me mundësitë dhe hapësirat që ka, nuk i ndahet pasionit të tij, kinematografisë, ku edhe ka interpretuar. Së fundi, ka qenë pjesë e jurisë së Noli Film festival organizuar në SHBA.