Qytetarët shkodranë kanë patur mundësinë sot të kryejnë ekzaminime falas për diabetin dhe tensionin e gjakut. Ka qenë një iniciativë e përbashkët e Shoqatës Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësinë dhe Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Kuvajtit, që u mbështet edhe nga Bashkia e Shkodrës. Që në orët e para të mëngjesit, para Bashkisë së Shkodrës, është vendosur një tendë, ku 10 studentë të mjekësisë kanë kryer matje të tensionit dhe të diabetit.
Duhet thënë se pavarësisht temperaturave të larta, interesi i qytetarëve ka qënë mjaft i lartë dhe janë realizuar qindra ekzaminime. Përveç ekzaminimeve, studentët kuvajtianë kanë dhënë edhe këshilla të tjera lidhur me shëndetin. Dita e sotme ka qënë një ditë e ngjeshur me aktivitete nga kjo shoqatë, e cila ka në fokus edhe jetimët, personat dhe familjet në nevojë në të gjithë vendin e veçanarisht në Shkodër.
Vlen të permendet që Mohammad AlHouli- Drejtor i zyrave të jashtme të Komitetit të Bashkuar Kuvajtian për Bamiresi në Kuvajt, Erion Hasmegaj- përgjegjës për Veriun i shoqatës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi, kanë qenë në një mendje për thellimin e metëjshëm të bashkëpunimit në interes të komunitetit. Deri në orën 17.00 të ditës së sotme qytetarët shkodranë mund të përfitojnë nga iniciativa e sotme e bamirësisë.