Gjiganti amerikan i teknologjisë, “Apple” prezantoi smartfonin e tij të ri, “iPhone 11”, i pajisur me një kamera të dyfishtë (larzh dhe ultra larzh) dhe me një procesor të ri, gjatë takimit të tij të madh vjetor në selinë në Kupertino, Kaliforni.
“iPhone të rinj janë të mbushur me funksionalitete të reja dhe dizajni i tyre i ri është i jashtëzakonshëm”, u shpreh i entuziazmuar, Tim Cook, drejtori i përgjithshëm i kompanisë.
Gjiganti teknologjik amerikan, Apple, ka prezantuar të martën në Kaliforni modelet e tij më të reja dhe më të avancuara të telefonave të mençur mobil.
iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max janë quajtur pajisjet më të reja dhe më të sofistikuara mobile të Apple. Telefonat do të dalin në shitje më 20 shtator, ndërsa porositë mund të bëhen nga 13 shtatori.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iPhone 11 Pro (versioni me 64GB) do të kushtojë 999 dollarë, apo 904 euro, kurse iPhone 11 Pro Max (versioni me 64GB) do të kushtojë 1.099 dollarë, apo 995 euro.
Por, sa do të kushtojnë dy modelet e reja të iPhone në vendet kryesore të Evropës?
Në Gjermani, iPhone 11 Pro do të kushtojë 1.149 euro, ndërsa iPhone 11 Pro Max do të kushtojë 1.249 euro, ashtu sikurse edhe në Austri.
Në Zvicër, iPhone 11 Pro do të mund të blihet për 1.199 franga zvicerane, apo 1.022 euro, ndërsa iPhone 11 Pro Max për 1.299 franga apo 1.186 euro.
Në Angli, iPhone 11 Pro do të kushtojë 1049 funte, apo 1.173 euro, ndërsa iPhone 11 Pro Max do të kushtojë 1.149 funte, apo 1.285 euro.
Në Itali, iPhone 11 Pro do të mund të blihet për 1.189 euro, kurse iPhone 11 Pro Max për 1.289 euro.
Në Spanjë, çmimi i iPhone 11 Pro do të jetë 1.159 euro, ndërsa iPhone 11 Pro Max do të kushtojë 1.259 euro, ashtu sikurse edhe në Belgjikë.
Tash për tash nuk dihet se sa do të kushtojnë iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max në Kosovë dhe Shqipëri, e as se kur do të dalin në shitje.