Festat e fundvitit janë në mundësi për të qenë bashkë, gëzuar e argëtuar. Më shumë nevojë se të gjithë për këtë atmosferë, këtë ngrohtësi, kanë ata që jeta nuk është treguar shumë dashamirëse me ta: fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës Shkollor në Shkodër.
Në këtë periudhë të bukur të vitit, ata janë vizituar nga përfaqësues të ekipit të Vllaznia xhudo dhe KFF Juban Danja, dy emblema të sportit, për kontributet e tyre në vite, sidomos për moshat e reja.
Drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës Shkollor Shkodrë, Vinifreda Gazulli, e përcjell këtë atmosferë përmes disa fotove në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me disa rreshta:
“Sot na vizituan tek shtëpia jone e madhe përfaqësues të ekipit të xhudo Vllaznia Aurora Shkoza, bashkë me përfaqësues të Kff Juban Danja , Ferdinand Jaku.
Ashtu si vjet edhe fëmijët tanë u përfshinë në dhuratën simbolike të fundvitit. Tashmë na gjeni edhe në kalendarin vjetor të tyre. Veçanërisht faleminderit Anton Shkoza që ndër vite nuk u ndale në edukimin e brezave.”.
Kjo shtëpi e madhe në Shkodër, prej kohësh tashmë është shumë aktive, duke pritur e përcjellë mysafirë, duke shijuar bashkë evente artistike- kulturore- sportive, ashtu siç në fakt edhe duhet.